Përkundër reagimeve në opinion, objekti “Park” në Ohër është shembur

Përkundër reagimeve në opinion, objekti i ish restorantit “Park” në Ohër, është shembur javën e kaluar. Aktivistët e sektorit civil e vlerësuan si të vonuar vendimin e Qeverisë, i cili udhëzon komunën t’i ndalojë punimet në këtë lokacion, derisa situata faktike të përcaktohet nga komisioni i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Institucionet kishin një muaj të tërë për të vepruar në kohën e duhur për të parandaluar atë që po ndodh tani. “Ohri SOS” e konsideron nismën e Ministrisë së Kulturës dhe aktivitetet e tjera të Qeverisë jo si kontroll të dëmtimit që i është bërë trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Ohrit, por kontroll i dëmtimit të vlerësimit dhe kapitalit politik të partisë në pushtet- deklaroi Dragana Vellkovska- Ohër SOS.

Sipas paralajmërimeve, një ndërtesë hoteli pritet të ndërtohet në këtë vend tërheqës, megjithëse ndodhet vetëm pesëdhjetë metra larg bregut të liqenit të Ohrit, e cila është zonë e mbrojtur dhe ku nuk guxon të ndërtohet. Sipas aktivistëve, kjo do të jetë një alibi shtesë për vendosjen e rajonit të Ohrit në listën e zonave të rrezikuara nën mbrojtjen e UNESCO-s, që është gjithnjë e më e sigurt. Qeveria informon se nga komuna e Ohrit është kërkuar që brenda dy ditësh të dorëzojë informacione mbi vlefshmërinë e lejes së ndërtimit në këtë vend.

Nëse ministrja vërtetë dëshiron të ndihmojë në pjesën e largimit së objekteve, ajo duhet të ndihmojë që të sigurohen 60 milion denarë që po i kërkojmë disa herë. Që të mund t’i zbatojmë të gjitha rekomandimet për prishjen e gjithçka që vërtetohet me ligj dhe shënohet si ndikim i rëndësishëm i dëmshëm ndaj statusit të liqenit dhe mjedisit, duhen këto fonde që komuna nuk i ka- tha Konstantin Gjeorgjievski- kryetar i Ohrit.

Kryetari i Strugës Ramiz Merko vazhdon të pretendojë se nuk ka ndërtesa të paligjshme në Strugë dhe se ato nuk e rrezikojnë trashëgiminë natyrore dhe kulturore. Qeveria një ditë më parë udhëzoi komunat e Ohrit, Strugës dhe Debërcës deri në miratimin e planeve të reja urbanistike që do të harmonizohen me Planin e menaxhimit, ndërtimi i objekteve, të bëhet duke treguar kushtet mbrojtjeje dhe konservuese dhe detyrimisht të veprohet sipas udhëzimeve të Planit të menaxhimit të trashëgimisë botërore natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit./ALSAT