Jashari: 23 vite nga fillimi i betejave, të jemi më të unifikuar për të realizuar amanetin e të rënëve për liri

Në 23 vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, tek Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan bëri homazhe edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Nga aty Jashari kujtoi 22 vjetorin e sulmeve të NATO-së ndaj caqeve ushtarake e policore të Serbisë

Jashari tha se NATO i doli në ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ishin duke u përballur dhëmbë për dhëmbë me okupatorin serb. Ai theksoi se tani duhet të duan më shumë njëri tjetrin dhe të jenë më të unifikuar për të realizuar ëndrrën dhe amanetin e të rënëve për liri.

“Këtë vit do të kemi 23 vite nga fillimi i betejave, luftërave ballë për ballë me armikun tonë, po ashtu sot kemi edhe 22 vjetorin e sulmeve të NATO-s, ata që i erdhën në ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ishte në tokën tonë të përgjakur duke u përballur dhëmbë për dhëmbë me okupatorin tonë shekullor. Çka na mbetët neve? Neve na duhet që ta duam më shumë njëri tjetrin, ta ndihmojmë më shumë njëri tjetrin, të jemi më të bashkuar, më të unifikuar që të realizojmë dëshirat, ëndrrat edhe amanetin e atyre që neve sot na mundësuan të jemi të lirë, pra të ecim në rrugën tonë të drejt dhe përpara”, tha ai .

Bashkë me Jasharin në varrezat “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan ishte edhe ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit në luftën e fundit në Kosovë, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradina.