Në Ohër shumë hotele po mbyllen, s’kanë punë!

Kriza energjetike doli të ishte më e keqe se pandemia e koronës, thonë hotelierët e Ohrit dhe Strugës. Interesimi për festat e fundvitit në bregun e liqenit të Ohrit është zvogëluar dukshëm. Sipas analizave të shoqatës së hotelerisë, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit një pjesë e madhe e hoteleve nuk janë as gjysmë të rezervuara. E kjo po ndodh për shkak rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe uljes së fuqisë blerëse të turistëve. Shumica e hoteleve tashmë janë mbyllur, disa prej tyre nuk do të hapen as për festat e Vitit të Ri.

“Sipas disa përqindjeve del se këtë vit do të kemi gjysmën e mysafirëve që kemi pasur vitin e kaluar që nuk është një shenjë e mirë për këto festa, e gjithë kjo vjen pas shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe shtrenjtimi i të gjithë artikujve ushqimorë dhe kuptohet çmimet nga viti i kaluar janë më të shtrenjta”, tha Krste Blazheski- kryetar i HOTAM.

Edhe esnafi i hotelierëve thotë se vizita e mysafirëve është reduktuar, njerëzit vijnë për kafe ditore por jo edhe për të qëndruar.

“Frekuentimi i reduktuar është i kuptueshëm sepse kriza godet xhepin e të gjithëve dhe sigurisht të gjithë duan të kalojnë me sa më pak. Po, vizitat janë zvogëluar, dhe cilësia e shërbimi është ulur. Po punohet vetëm për kafe ditore, pije të zakonshme, për festa me te mëdha apo për festa familjare, tani për tani puna është disi e qete”, pohoi Mihail Mishev – esnaf i hotelierëve.

Nëse deri vitin e kaluar një aranzhim treditor i Vitit të Ri kushtonte rreth 150 euro, këtë vit çmimi për shkak të inflacionit është 250 euro. Këtë vit qeveria nuk ka ndarë mjete për hotelierët në pakon e krizës energjetike.