Fyerja e kolegut mund t’ju kushtojë deri në një vit burg!

Kodi i ri Penal në Maqedoninë e Veriut, i cili ndodhet në fazën e debatit publik, parasheh sanksione për fyerjen, poshtërimin dhe keqtrajtimin fizik apo psikologjik të kolegëve në vendin e punës. Dënimi mund të jetë me gjobë ose deri në një vit burgim, nëse si pasojë dëmtohet shëndeti i personit.

Ndryshimet përfshijnë edhe kriminalizimin e censurës ndaj gazetarëve, me dënime deri në tre vjet burg, si dhe mbrojtje të posaçme të privatësisë së fëmijëve.

Kodi i ri parasheh gjithashtu masa më të ashpra kundër ngacmimit seksual, përndjekjes, publikimit të materialeve intime pa pëlqim dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Një tjetër risi është mundësia që gjykata t’ua ndalojë personave të dënuar për vepra të caktuara penale të drejtën për t’u zgjedhur, për një periudhë prej dy deri në dhjetë vjetësh.