Musa Xhaferi: Unë njihem me të akuzuarin Fejzi Aziri

Musa Xhaferi i cili dëshmoi për rastin “Monstra” deklaroi se njihet me të akuzuarin Fejzi Azirin, pasi ky i fundit ka qenë aktivist në partinë e tij. Ai gjithashtu tregoi se nuk ka pasur takime me familjarët e të akuzuarëve.

“Me sa mund ta kujtoj, ai ka qenë aktivist i BDI-së. Ka marrë pjesë nëpër takimet e kësaj partie. Por nuk e mbaj mend se çfarë sakt. Me siguri me aktivitete politike dhe organizative. Por ka kaluar shumë kohë, kanë kaluar më shumë se 11 ose 12 vite”.

Ai pranoi se ka biseduar me shefin e DSK-së Sasho Mijallkov për këtë rast. Por, siç u shpreh bisedat e tyre janë zhvilluar në kontekst të informimit për këtë rast.

“Po ka shansa që kam komunikuar. Me siguri që të informohem për rastin sepse ishte shumë i ndjeshëm. Unë kam qenë i vetëdijshëm se çfarë pozicioni ka pasur atëherë Mijallkov”.

Xhaferi si zëvendëskryeministër në kohën kur ka ndodhur “Monstra”, tregoi se Qeveria nuk ka mbajtur asnjë seancë formale të veçantë për këtë rast, por vetëm ka pasur komunikime mes institucioneve./SHENJA/