Fundjava me erë të fortë, ndërsa nga e hëna pritet ftohje e motit dhe borë në male.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka lëshuar paralajmërim për erë të fortë, e cila gjatë të shtunës dhe të dielës do të fryjë herë pas here në pjesët perëndimore të vendit. Nga e hëna pritet ndryshim i motit, me ulje të temperaturave dhe reshje bore në zonat malore.
Të shtunën (21 nëntor), në mëngjes dhe paradite moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe reshje të herëpashershme shiu, kryesisht në pjesët perëndimore dhe verilindore. Gjatë ditës pritet mot me diell dhe vranësira të lehta deri mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, ndërsa në pjesët perëndimore herë pas here e fortë, nga drejtimi perëndimor, me shpejtësi mbi 60 km/h. Temperaturat e mëngjesit do të lëvizin nga 2 deri në 8 gradë, ndërsa ato ditore nga 15 deri në 22 gradë.
Të dielën (22 nëntor), moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Në mbrëmje dhe gjatë natës priten reshje të herëpashershme shiu, kryesisht në pjesët perëndimore. Pasdite do të fryjë erë e përforcuar nga drejtimi jugor, ndërsa në pjesët perëndimore paralajmërohet erë me shpejtësi mbi 70 km/h. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 8 gradë, ndërsa maksimalet nga 14 deri në 18 gradë.
Të hënën (23 nëntor), moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe reshje lokale shiu. Pas depërtimit të ajrit më të ftohtë nga veriu, pasdite reshjet në zonat malore do të kalojnë në borë. Do të fryjë erë e përforcuar, ndërsa në disa vende herë pas here edhe e fortë. Temperaturat e mëngjesit do të lëvizin nga 3 deri në 10 gradë, ndërsa ato ditore nga 12 deri në 19 gradë.
Të martën (24 nëntor) pritet mot me diell dhe më i ftohtë, me vranësira të lehta deri mesatare dhe erë të dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperaturat e mëngjesit do të zbresin deri në -3 gradë, ndërsa ato ditore do të lëvizin nga 7 deri në 14 gradë.





