Fokus: Ahmeti, Boneva dhe Milloshovski së shpejti në gjyq, rrezikojnë 5 vite burg?!

Prokuroria Publike pritet të “ndezë motorët” gjatë kësaj periudhe dhe me shpejtrësi më të madhe se deri tani t’i procedojë rastet e hapura nga ish Prokuroria Speciale Publike, shkruan revista Fokus në numrin e saj të fundit.

Sipas kësaj reviste, pritet të hapet rasti i ish deputetes së VMRO-DPMNE-së, Sillvana Boneva, rasti ndaj deputetit të kësaj partie, Antonio Milloshovski, por edhe rasti ndaj kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, i cili dyshohet bashkë me ish kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Kjo revistë sjell detaje deri tani të papublikuara lidhur me rastin “Regjistrimi”, ku Gruevski dhe Ahmeti dyshohen bashkë që e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit, duke e anuluar regjistrimin e vitit 2011 për shkaqe politike.
“Ekziston dyshim i bazuar që me qëllim, si koalicion në pushtet, të fshehin faktin se nuk posedojnë kapacitet politik për të organizuar regjistrim real të popullsisë, si dhe t’i fshehin faktet e pavolitshme për gjendjen demografike dhe ekonomike të popullsisë, që ka rezultuar me migrim masovik të qytetarëve”, kanë thënë nga PSP, transmeton Gazeta Lajm. Marrëveshja për anulim të regjistrimit mes Ahmetit dhe Gruevskit është bë mes datave 10 dhe 11 tetor të vitit 2011, për çka PSP posedon biseda të përgjuara. Ahmeti dhe Gruevski kanë qenë të vetëdijshëm se duhet të përgjigjen para ligjit për anulimin e regjistrimit, prandaj janë marrë vesh që përmes kumtesave partiake dhe përmes mediumeve të krijojnë përshtypje se regjistrimi po anulohet për shkaqe teknike. Që marrëveshja të marrë edhe ‘amin’ ligjor, Qeveria deri në Parlament ka propozuar të shfuqizohet Ligji për regjistrim të popullsisë, dhe më pas deputetët kanë votuar të nxitur nga liderët e tyre.

Nga qeveria në atë kohë kanë qenë të kujdesshëm dhe janë arsyetuar se regjistrimi anulohet për t’u trajnuar më mirë regjistruesit dhe se 2.8 milionë eurot e parapara nuk do të bien në ujë, por se do të shfrytëzohen për trajnim në operacionin e ardhshëm regjistrues.

Por nga PSP nuk kanë rënë në këtë grackë, prandaj thonë se shkaku i përmendur nuk është i vërtetë.
“Thjeshtë, të dyshuarit e kanë kuptuar që me operacion ligjor regjistrues do t’i bëhet dëm i madh koalicionit qeveritar të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së dhe vetë atyre si liderë të dy partive, prandaj duke u nisur nga interesat personale për të ruajtur ndikimin në shoqëri, kanë vendosur që mjetet e harxhuara deri në atë kohë t’i hedhin në ujë, me çka e kanë dëmtuar buxhetin për 2.8 milionë euro”, kanë thënë nga PSP për Fokus.

Edhe Gruevski edhe Ahmeti në këtë rast paditen për veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” të paraparë me Nenin 353 nga Kodi penal, për çka parashihen dënime mbi pesë vite burg.