PPD, BDI dhe VLEN – emra të ndryshëm, e njëjta filozofi politike!

Imer ALIU
Tridhjetë e pesë vite pluralizëm politik janë një periudhë e mjaftueshme për të bërë një bilanc të përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në këndvështrimin tim, dallimi thelbësor gjatë këtyre viteve nuk ka qenë thjesht mes partive politike, por mes dy filozofive të ushtrimit të pushtetit.

Nga PPD-ja te BDI-ja e sot te VLEN-i, emrat ndryshuan, por filozofia e përfaqësimit politik mbeti e njëjtë, si në aspektin programor dhe ideologjik, ashtu edhe në praktikën e ushtrimit të pushtetit.

Tri subjekte, tri periudha të ndryshme, por e njëjta filozofi. Interesat politike të shqiptarëve iu përshtatën vazhdimisht nevojës për të qenë dhe për të mbetur në pushtet.

Gjatë kësaj periudhe, kompromiset politike në dëm të shqiptarëve u justifikuan me arsyetime të ndryshme, varësisht nga rrethanat politike, por gjithmonë në funksion të pjesëmarrjes dhe qëndrimit në pushtet. Gradualisht, edhe nënshtrimi politik u shndërrua në një normalitet të pranuar, si çmim për të qenë pjesë e qeverisë.

PDSH-ja artikuloi një koncept tjetër të përfaqësimit politik, ku pushteti nuk është qëllim në vetvete, por instrument për realizimin e barazisë politike dhe kombëtare të shqiptarëve brenda sistemit shtetëror. Në themel të këtij koncepti qëndronin dinjiteti, krenaria kombëtare dhe përfaqësimi i shqiptarëve si partnerë të barabartë, jo si pjesëmarrës të nënshtruar në pushtet.

Pas 35 vitesh pluralizëm politik, a jeni të gatshëm të bëni bilancin e këtyre viteve?

Të pyesni veten çfarë keni fituar, çfarë keni humbur, çfarë kompromisesh janë bërë në emrin tuaj dhe çfarë mund të kishte qenë ndryshe po të kishit zgjedhur PDSH-në?

Dhe një pyetje për votuesit e këtyre subjekteve.

Sa herë duhet të ndryshojnë emrat e partive që më në fund të kuptoni se po votoni për të njëjtin model politik?