Nga e hëna rifillojnë testimet për brucelozën tek loptë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur që nga e hëna, më 23 nëntor, të rifillojnë testimet diagnostikuese për brucelozën te gjedhet, pas ndërprerjes së tyre.

Vendimi vjen pas kërkesave të shoqatave veterinare, të shprehura gjatë protestës së qetë të mbajtur ditëve të fundit.

Testimet do të realizohen nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në Shkup, në përputhje me masat e parapara në Programin për mbrojtjen shëndetësore të kafshëve për këtë vit.

AUV njofton se, për të mundësuar vazhdimësinë e analizave laboratorike, Agjencia dhe Fakulteti kanë gjetur zgjidhje dhe kanë lidhur marrëveshje për donacion.

Qëllimi është zbulimi, monitorimi, kontrolli dhe parandalimi i përhapjes së brucelozës te gjedhet, sigurimi i kafshëve dhe produkteve të shëndetshme në treg, si dhe mbrojtja e shëndetit publik.