Kulturë, probleme me pagesat nga programi i kaluar

Kanë vijuar problemet në Ministrinë e Kulturës. Derisa vijon debati për ndarje të vetëm 16.5% të buxhetit të Ministrisë së Kulturës për projektet shqiptare, fituesit e projekteve nga programet e vitit të kaluar të Ministrisë së Kulturës nuk kanë marrë akoma mjetet financiare. Ertan Shakiri nga Shoqata “Sos Vita” theksoi se shoqata që drejton ai ka fituar dy projekte nga programi i kaluar i Ministrisë së Kulturës, por se akoma nuk kanë marrë mjetet financiare. U shpreh se nëse nuk bëhet pagesa do të dalin në protestë.

“Kanë kaluar ato vetëm e vetëm duhet që ministrja t’i nënshkruajë dhe mjetet të na kalojnë në xhirollogarinë tonë. Do i japim afat 15 ditor, do t’i dërgojmë një kërkesë Ministrisë së Kulturës kur brenda 15 ditëve nëse nuk na lëshojnë paratë ne do të bëjmë protestë. Ndërsa të gjithë ata të cilët na dëgjojnë të marrin masa dhe të na i lëshojnë këto të holla që të mos bëhemi njerëz që dalim në protesta dhe t’i kërkojmë të drejtat tona.”,- u shpreh Ertan Shakiri nga “Sos Vita”.

Nga Ministria e Kulturës theksojnë se për momentin policia financiare është duke hetuar mbi abuzime të mundshme në këtë Ministri gjatë periudhës së kaluar, por shtojnë se për të gjitha projektet që kanë dokumentacion të plotë dhe projekt të realizuar, mjetet shumë shpejt do tu paguhen.

“Gjatë periudhës së kaluar, opinioni ishte informuar se Policia Financiare po punon intensivisht në informacionin mbi abuzime të mundshme në Ministrinë e Kulturës. Shpresojmë që për të gjitha projekte që kanë dokumentacionin e duhur, pagesa të fillojë së shpejti, respektivisht Ministria e Kulturës do të paguajë të gjitha kërkesat nga konkursi i fundit për të cilin ekziston edhe bazë ligjore, ashtu siç na obligon edhe Qeveria. Ndërkohë në Ministri vazhdon procesi së ndërprerjes së kontratave që nuk kanë dokumentacion të plotë financiar ose që nuk kanë realizuar projektet. Ju kujtojmë se Ministria e Kulturës, në periudhën prej 1 shtatorit 2020 deri më 31 janar 2021, për shkak të projekteve të parealizuara dhe dokumentacionit jo të rregullt financiar, ndërpreu kontratat në vlerë prej mbi 1 milion euro.”,- u tha nga Ministria E Kulutrës.

Nga Ministria e Kulturës shtojnë se në përputhje me konkluzionet e miratuara nga seancat qeveritare, është vendosur të mos paguajë mjete financiare deri përfundimin e kontrolleve financiare, në mënyrë që të mbrohet buxheti I shtetit.