Një 17-vjeçar nga Korça ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke e përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën Botërore të Shkencave të Reja.
Orges Ibi fitoi medaljen e artë në këtë kompeticion, të zhvilluar në shkurt të vitit 2025, ku morën pjesë mbi 160 garues nga vende të ndryshme të botës.
Në garën ku u testuan njohuritë në matematikë, kimi dhe programim, Orgesi arriti rezultatin maksimal, duke u shpallur fitues i medaljes së artë. Sipas raportimeve, ai është shqiptari i parë që arrin këtë sukses në këtë olimpiadë.
Babai i tij, Bashkim Ibi, nuk e fshehu emocionin për arritjen e të birit, duke zbuluar se 17-vjeçari kishte marrë edhe ftesa për të vizituar disa prej universiteteve të njohura në Nju Jork.
Nga Korça drejt skenës botërore të shkencës – një histori suksesi që dëshmon potencialin e të rinjve shqiptarë.



