U promovua libri i dytë mbi golgotën e Bllacës në vitin 1999

Në organizim të Organizatës Humanitare „El Hilal“ dhe Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në Trojet e Veta, me seli në Prishtinë, dhe nën patronazhin e Komunës së Tetovës, mbrëmë, në Qendrën për Kulturë në Tetovë, në kuadër të festave të Nëntorit, u promovua libri „Bllaca ’99 – Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe“, i autorit Jahja Lluka.
Në të vërtetë, bëhet fjalë për vëllimin e dytë me të njëjtin titull dhe të njëjtën tematikë, pasi vëllimi i parë ishte promovuar në Shkup para dy vjetësh.

Libri „Bllaca ’99“, vëllimi i dytë, përmban rrëfime të të dëbuarve dhe personaliteteve të tjera, të cilat, në mënyrë autentike, përshkruajnë përjetimet e tyre në vendkalimin kufitar të Bllacës, i cili, në fund të marsit të vitit 1999, u shndërrua në një ferr të vërtetë për mbi 60 mijë shqiptarë, të cilët, me dhunë, u dëbuan nga pushtuesi serb prej vatrave të tyre shekullore.
Drama gati dyjavore do të mbetet gjatë në kujtesën e shumë dëshmitarëve të asaj kohe, si dëshmi e një solidariteti të paparë shqiptar në trevat tona. Në ato ditë të vështira, popullata shqiptare, përmes organizatave të saj humanitare, me në krye El Hilalin, dëshmoi se vëllai nuk e lë vëllanë vetëm, në kushte të tmerrshme, në baltën e fushëgropës së Bllacës.

Pikërisht për këtë, para të pranishmëve foli edhe Dr Behixhudin Shehapi, kryetar i El Hilalit, i cili, në fjalën e tij përshëndetëse, veçoi angazhimin e pakursyer edhe të tetovarëve gjatë asaj krize humanitare, në ndihmë dhe në strehimin e të dëbuarve, në momente kur aktivistët e El Hilalit ne Bllacë e bashkuan ditën e natën me punën e tyre humanitare.
Promovimi, i moderuar nga mr. Ali Sadiku, nënkryetar i El Hilalit, vijoi me paraqitjet e dy recensentëve të librit, prof. dr. Parim Kosova dhe dr. Qerim Lita, historianë të njohur të trevave shqiptare.

Duke folur për librin, prof. dr. Parim Kosova, njëherësh edhe udhëheqës i Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, trajtoi edhe rrënimin dhe djegien e kësaj godine nga pushtuesit, të cilët nuk e kursyen mllefin e tyre as ndaj dokumentacionit dhe artefakteve muzeore, trashëgimi e kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike për shqiptarët.
Për librin, përkatësisht për përjetimet e të dëbuarve dhe holokaustin shqiptar, në fund foli autori i tij, veprimtari i njohur për angazhimin e tij në zbardhjen e tragjedisë së Kosovës dhe kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur në Trojet e Veta, Jahja Lluka.

Fillimisht, ai falënderoi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe, në veçanti, tetovarët, për solidaritetin e treguar gjatë luftës në Kosovë. Më pas, foli për rrëfimet e të dëbuarve, një pjesë e të cilave janë përfshirë në këtë libër, ndërsa theksoi se shumë dëshmi të tjera presin të zënë vendin e tyre në librin e tretë, i cili, me shpresë, do të botohet së shpejti.
Jahja Lluka përmendi edhe iniciativën për hapjen e Qendrës Memoriale në Bllacë, një pjesë e së cilës tashmë është realizuar, por përfundimi i saj kërkon përkushtim dhe angazhim të përbashkët nga qeveritë e të dy vendeve.

Kjo mbrëmje në Tetovë, për shumë nga pjesëmarrësit e promovimit, ishte edhe një rikthim i kujtimeve të dhimbshme dhe ankthit, por njëkohësisht edhe i krenarisë mbarëkombëtare, sepse solidariteti shqiptar u shfaq në formën e tij më të lartë njerëzore.
Porosia e kësaj mbrëmjeje ishte e qartë: Kurrë më të mos përsëritet Bllaca!