Intervistë në “Nacional” të Tiranës me rastin e 80 vjetorit të jetës dhe 60 vjet krijimtari (4)
INTELEKTUALËT – VASALË TË POLITIKËS TRIBALE!
-Në një bisedë të gjerë për “Nacional”, Jusuf Buxhovi flet për marrëdhëniet midis fiksionit dhe faktit historik, për rolin e intelektualit dhe për sfidat e identitetit në kohë moderne. Në këtë bisedë të gjerë mbi krijimtarinë, kujtesën historike dhe identitetin shqiptar, autori ndalet edhe te sfidat e historiografisë bashkëkohore…
Mujo Buçpapaj
Nacional: Në ç’masë e konsideroni letërsinë tuaj si një formë rezistence kulturore dhe politike?
J. Buxhovi: Letërsinë e konsideroj pjesë të vetëdijes kulturore, me çka ajo shfaqet faktori kryesor imunitar i qenies…
Nacional: A mendoni se shkrimtari në hapësirën shqiptare ka ende një rol të veçantë si “ndërgjegje e kombit”, apo kjo është një paradigmë e tejkaluar?
J. Buxhovi: Për fat të keq, nga shumë arsye, veçmas nga ato politike, kur ato merren ndore nga politikanë tribalë, kjo shfaqet paradigmë e tejkaluar, madje e dëmshme, meqë “ndërgjegjja” kthehet në paradigmë të vasalitetit intelektual, më e dëmshme se ajo e diktatit ideologjik nga e kaluara e afërme!
Nacional: Si e përkufizoni raportin midis estetikës dhe etikës në veprën tuaj?
J. Buxhovi: Përpiqem që raporti etik dhe ai estetik të jenë të balancuar…
Nacional: Duke qenë se veprat tuaja janë përkthyer në disa gjuhë, si ndryshon recepsioni i tyre jashtë hapësirës shqiptare?
J. Buxhovi: Nga veprat e mija letrare është përkthyer “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi” (serbisht, sllovenisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht dhe gjendet në përkthim edhe në gjermanisht dhe anglisht). Ndërsa në anglisht është përkthyer “Dosja B”. “Kazazi” është pritë mirë në frëngjisht nga L’Harmattan i Parisit me pesë-gjashtë ribotime si dhe ai në italisht me tri ribotime brenda një kohe të shkurtër. Në Itali ka lëvizje edhe drejt filmimit të romanit, si kooproduksion me Kosovën. Por prej dy vitesh, një producentit të njohur italian, i mungon një përgjigje nga Ministria e Kulturës!
Nacional: A mendoni se letërsia shqiptare arrin të komunikojë universalitetin e saj pa humbur specifikën historike?
J. Buxhovi: Specifikat historike jo rrallë, universaliteti i nxjerr nga “provincializmi”. Këtë më së miri na dëshmon letërsia latino-amerikane, me dimension e realizmit magjik markezian.
Nacional: Duke parë pas në një krijimtari kaq të gjerë, a mendoni se ka një vijë të brendshme unifikuese që lidh gjithë veprën tuaj?
J. Buxhovi: Kjo u takon studiuesve të letërsisë ta thonë, që janë gjithnjë e më të paktë, e gjithnjë më të rrudhur sipas interesave të tarafeve…
Nacional: Çfarë raporti keni sot me veprat tuaja të hershme: i shihni si dëshmi të një kohe apo si pjesë ende aktive të dialogut tuaj krijues?
J. Buxhovi: Veprat përherë i shoh të papërfunduara. U kthehem dhe u rikthehem, shpesh i bart pjesët nga njëra në tjetrën, edhe pse shumë shkrimtarë këtë e shohin ndryshe…
Nacional: Çfarë projektesh të reja letrare apo historiografike po përgatitni aktualisht, dhe cilat tema ndjeni se ende kërkojnë trajtim?
J. Buxhovi: Sapo doli nga shtypi romani “Lufta e fshehur, Anteu”. Ndërsa po punoj në një libër kujtimesh dhe dëshmish “Dy pasluftat e mia 1946-1999 dhe 2000-2026”, me të cilin shënohet 80 vjetori i jetës, në gusht, dhe 65 vjetori i krijimtarisë sime. Mund t’ua them se dy pasluftat e mia, ndryshojnë diametralisht: e para, në rrethanat e konceptit të barazisë klasore, përkundër përpjekjeve të Beogradit që të shfrytëzonte projektet e mbetura të kralevinës kundër shqiptarëve, ishte me shpresë dhe ngritje të ngadalshme, por drejtë ardhmërisë. Ndërsa e dyta, nga protektorati ndërkombëtar dhe veçmas shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008, me dëshpërime të vazhdueshme, meqë çlirimi nuk u kthye në liri, që nënkupton sistemin e vlerave të saj, dhe po ashtu, parlamentarizmi nuk u kthye në demokraci. Në këto rrethana kur liria kthehet në peng “të çlirimtarëve” të rremë, ndërsa parlamenti në një arenë të feudeve familjare, fiseve e mbi të gjitha grupeve mafioze, atëherë mund të kuptohet pse kjo gjendje nga shumë qytetarë përjetohet si gjendje e shtetit pa autoritet, ndërkohë që dikur kishim autoritetin pa shtet! Andaj, sot kemi dukurinë e akulturimit të vazhdueshëm, humbjen e ekuilibrave demografik, etnik e mbi të gjitha realitetin e hidhur kur identiteti kombëtar zëvendësohet me atë fetar, deri te përmasat e kthimit në komunitet fetar!
Nacional: Çfarë përfaqëson për ju 80-vjetori i lindjes: një pikë reflektimi, një bilanc apo një fazë e re e vetëdijes krijuese?
J.Buxhovi: Përgjigjen e kësaj duhet kërkuar te libri “Dy pasluftat e mia” që do të dalë nga fillimi i gushtit.
Nacional: Si e përjetoni simbolikisht 60-vjetorin e nisjes së krijimtarisë suaj: si një rrugëtim të përmbushur apo si një proces ende të hapur kërkimi?
J. Buxhovi: Krijimtarinë letrare e konsideroj rrugëtim të papërmbushur…
Nacional: Nëse do t’i drejtoheshit vetes suaj të re, në fillimet e këtij rrugëtimi, çfarë do t’i thoshit sot?
J. Buxhovi: Përseritje e së njëjtës …
Nacional: Në fund, a është shkrimi për ju një akt i kërkimit të së vërtetës apo një mënyrë për ta problematizuar atë?
J. Buxhovi: I të dyjave…
Nacional: Si do të dëshironit të mbeteshit në kujtesën e brezave që do të vijnë: si historian, si romancier, apo si një ndërgjegje kritike e kohës suaj?
J. Buxhovi: Kjo u mbetet veprave ta thonë…
Nacional: Nëse do të duhej të linit një mesazh për brezin e ri të shkrimtarëve dhe studiuesve shqiptarë, cili do të ishte ai në raport me të vërtetën, lirinë krijuese dhe përgjegjësinë intelektuale?
J. Buxhovi: Latinët thoshin: “Vitam impedere vere” (Jetën kushtoja të së vërtetës). Kësaj do t’ia shtoja edhe atë: nuk mjafton të jesh vetëm i lirë, meqë kthehesh në skllav të saj. Por, të veprosh i lirë…
(Fund)



