Abazoviç po i shërben politikës serbo-ruse? Flet ish-ambasadori

Ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha thotë se kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç i shërben politikës serbo-ruse.

Në një intervistë për Euronews Albania, Dinosha u shpreh se Abazoviç e ka bërë diçka të tillë, që kur ishte zëvendës kryeministër në vitin 2020.

Sipas Dinoshës, marrëveshjen me Kishën Serbe, Abazoviç e nënshkroi ashtu siç ia kërkuan këto forca, të cilave ai u shërben.

“Zoti Abazoviç ka qenë që në fillim aty, do të thotë që ka krijuar shumicën në vitin 2020, pikërisht prej këtyre forcave, kur në krye të qeverisë ishte zoti Zdravko Krivokapiç, ky ishte zëvendësi i tij në qeveri dhe unë asokohe, kam rastisur të isha ambasador i Malit të Zi në Republikën e Kosovës. Nuk durova dhe i kam shkruar një letër të hapur, duke i thënë që një hap i tillë do ishte i rrezikshëm, për arsye se forcat pro-ruse do të merrnin pushtetin në Mal të Zi, ato fillimisht mund të tregohen më të buta, por unë i di qëndrimet e tyre dhe aspiratat e tyre, prandaj i pata thënë, hasa në vesh të shurdhër.

Koha, për fat të keq ka dëshmuar se zoti Abazoviç ka punuar për ato forca. Ky deklarohet se Mali i Zi do të ndjekë rrugën perëndimore, por faktet flasin ndryshe. Zoti Abazoviç kur ishte në krye të qeverisë së pakicës, bëri një marrëveshje themeltare të qeverisë me Kishën Serbe në dëm të shtetit të Malit të Zi. Ai e bëri këtë hap, siç e donin pikërisht forcat pro-serbe që e përkrahin “, theksoi ai.