Ramabaja flet për dialogun me Serbinë dhe “Ballkanin e Hapur”: Ky është interesi strategjik serbo-rus – Kosova nuk duhet të bie në këtë grackë

Kosova po përballet me zhvillime të shumta politike.

Rritja e çmimeve, kriza ekonomike, kriza energjetike, dialogu Kosovë-Serbi, mosliberalizimi i vizave kanë qenë disa nga temat kyçe kohëve të fundit.

Pavarësisht kësaj, qeveria dhe opozita nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë bashkëpunuese mes vete.

E lidhur me gjithë këto zhvillime në një intervistë për “Bota sot” foli profesor Dr.Sadri Ramabaja.

Fillimisht, profesori tha se Kosova pas 14 shkurtit 2021 gradualisht ka hyrë në fazën e funksionalizimit të saj dhe rrjedhimisht edhe stabilizimit politik permanent.

Gjithashtu, ai potencoi se vendi ynë udhëhiqej nga kryeministra marioneta e qeveri të papërgjegjshme, dialogu në vitet 2016-2018 degjeneroi në një proces të fshehtë për ndarjen e Kosovës dhe aneksimin e veriut nga Serbia.

Po ashtu, Ramabaja komentoi edhe “Ballkanin e hapur”, ku theksoi se si projekt ai mëton të zëvendësojë, respektivisht ta bëjë të parealizueshëm Procesin e Berlinit.

“Ky është interesi strategjik serbo-rus. Në këtë grackë nuk guxojmë e nuk duhet të biem assesi”.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend? Në njërën anë trysni për bisedime me Serbinë, thirrjet e qeveritarëve serb për krijimin e ‘botës serbe’, thirrjet për një lloj rebelimi nga Radojçiqi, thirrjet për protesta për veteranët, për Trustin etj?

Sadri Ramabaja: Republika jonë pas 14 shkurtit 2021 gradualisht ka hyrë në fazën e funksionalizimit të saj dhe rrjedhimisht edhe stabilizimit politik permanent. Dy blloqet politike – ai që i paraprinë Lëvizja Vetëvendosje në qeverisje dhe blloku i dytë – opozitari, duket se po etablohen secili në rolin e vet kushtetues.

Procesi i dialogut me Serbinë i imponuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 9 shtator 2010, respektivisht përmes rezolutës së sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia po ecën drejt fundit.

Kjo rezolutë erdhi pas dhënies së mendimit këshillëdhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) rreth aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sipas kërkesës së parashtruar nga Serbia. Opinioni i kësaj gjykate ndërkombëtare vulosi vullnetin politik të popullit tonë.

Por, meqë për një kohë të gjatë Kosova udhëhiqej nga kryeministra marioneta e qeveri të papërgjegjshme, dialogu në vitet 2016-2018 degjeneroi në një proces të fshehtë për ndarjen e Kosovës dhe në aneksimin e veriut Serbisë.

Ishte rezistenca popullore e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje atëbotë dhe qëndrimi i palëkundur i ish kryeministrit Haradinaj, e mbi të gjitha urdhri i Prokurorisë së Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, (që ne njohim me emrin e shkurtër Gjykata Speciale), për arrestimin e Hashim Thaçit (atëbotë president i Republikës), që i dha fund atij projekti ogurzi për Republikën dhe interesat jetike të Kombit.

Ndërkaq klithjet shpresëhumbura të “komitëve” të Vuçiqit të tipit të Radojçiqit, në krejt këto ndeshtrasha të gjeopolitikës në raportet Perëndim – Rusi dhe të ca zërave të ngjirur të një lagjeje të opozitës vulëhumbur, mbesin produkt i dëshpërimit dhe zhgënjimit politik të natyrshëm dhe pa peshë.

Deklaratat e kriminelit Milan Radojçiq – shkreptima në ditë me diell

“Bota sot”: A ka ndonjë rrezik që Serbia qoftë të ndërmarrë një sulm në veri apo ta nxitë pakicën serbe atje, veçanërisht pas deklaratës së ministrit të Brendshëm të Serbisë Vulin, se nuk ka stabilitet në rajon, pa i përfshirë të gjithë serbët në një shtet, dhe të kriminelit Milan Radojçiq, për një rebelim, një propagandë tërësisht mashtruese serbe apo?

Ramabaja: Projekti serb i ashtuquajtur “Bota serbe” i proklamuar nga ministri A. Vulin, natyrisht pasi është tumirë nga A. Vuçiqi, në rrethanat aktuale të luftës në Ukrainë dhe reagimit të Perëndimit, mbetet vetëm një projekt në “letër”, por gjithsesi pjesë e gjeopolitikës postmoderne serbe. Ai përkohësisht është “zëvendësuar” me projektin “Ballkani i hapur”, që duket se nuk ka gjetur mbështetjen e duhur as edhe nga aleatët tradicional të Serbisë në Perëndim. Prandaj si deklaratat e Vulinit edhe ato të kriminelit Milan Radojçiq, janë shkreptima në ditë me diell.

Kjo nuk do të thotë që ne duhet ta ulim vigjilencën dhe përkushtimin për sigurimin e jetës së qytetarëve tanë në veri, integritetit e sovranitetit të Republikës.

Recesioni ekonomik dëmton para së gjithash periferikë

“Bota sot”: Rritja e çmimeve është një nga temat kryesore në vendin tonë. Sa po arrin të menaxhoj këtë situatë qeveria, p.sh. nafta ka rënë në bursë për rreth 15%, por çmimi me tavan të Ministrisë, rreth 3%?

Ramabaja: Thellimi i luftës ekonomike mes Rusisë dhe Europës, paralajmërojnë ekspertët e fushës, ka rrezik se do ta gjunjëzojë madje edhe Gjermaninë, respektivisht do ta paralizojë industrinë europiane. Prandaj, çmimi i një embargoje të plotë në staza afatgjata ndaj Rusisë, mund të shkaktojë recesion të thellë në Evropë dhe një rritje të re të inflacionit gjithandej, rrjedhimisht edhe tek ne.

Këmbanat e alarmit në këtë plan, ka ditë që bien. Ne ndajmë fatin tok me Europën. Recesioni ekonomik dëmton, në këtë rast më shumë shtetet industriale, por gjithsesi edhe periferitë.

Lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj, sidomos në lëmin e energjisë, gasit e produkteve të naftës, por edhe produkteve ushqimore, ka qenë e pritshme të reflektojë edhe në Kosovë. Madje sa më e ashpër do të jetë lufta ekonomike mes Rusisë dhe Perëndimit, aq më të ndjeshme do të jenë edhe pasojat e saj. Ekonomia më e madhe e Europës – Gjermania, aktualisht po kalon ndeshtrashat më të theksuara të kësaj përballjeje. Qeveria jonë i është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, duke u pozicionuar qartë me bllokun e demokracive liberale dhe, sigurisht, ky pozicionim ka edhe koston e vetë. Sidoqoftë, me masat që ka marrë qeveria, është ruajtur shtresa më në nevojë dhe balanca e çmimeve edhe për naftën dhe produktet e saj.

Sigurisht se ka vend edhe për masa shtesë.

“Bota sot”: Duke u bazuar nga rritja e çmimeve, nga qytetarët tërheqja e Trustit. A mendoni që duhet të ketë një tërheqje të tillë?

Ramabaja: Çështja e ngritjes së çmimeve dhe ndërlidhja e saj me tërheqjen e 10-30% nga fondi i Trustit, e ngritur si një lloj kauze e stisur nga ana e opozitarëve milionerë, është e pashembullt në rrafshin global. Vendimi i qeverive paraprake për transferimin dhe investimin e kursimeve të Trustit në tregjet financiare europiane, në gjykimin tim, mbetet vendim i gabuar dhe i pastudiuar sa e si duhet. Por, edhe tërheqja e tij e menjëhershme në vend është e pamundur dhe e dëmshme, sa edhe tërheqja dhe shpërndarja e tij e pjesshme. Ne kishim një tërheqje prej 10% me vendimin e qeverisë Hoti në vitin 2020, ndërkaq insistimi për ripërtëritjen e atij gafi financiar e politik, e shpie atë fond drejt shuarjes dhe e shpërfaqë shtetin tonë tejet jo serioz.

UÇK-ja është kryevlera jonë politike – ajo duhet trajtuar dinjitetshëm

“Bota sot”: Krerët e veteranëve i kanë vënë kushte Qeverisë për zgjidhjen e ‘ngërçit’ për pensionet e veteranëve, të cilët e lidhin atë me ligjin për pagën minimale, duke kërcënuar me protesta?

Ramabaja: Krerët e organizatave të veteranëve të UÇK-së kanë rënë në kurthin e politikanëve – milioner të papërgjegjshëm. Ata duhet paraprakisht të akordohen me Qeverinë për verifikimin e plotë të listave të veteranëve. Kryevlera politike (UÇK-ja) që ka prodhuar brezi ynë duhet të mbrohet e ruhet e pacenuar si sot ashtu edhe për brezat që vijnë. Vetëm kështu ne mbrojmë dinjitetin edhe të luftëtarëve të UÇK-së së vegjëlisë, siç preferoj ta quaj unë UÇK-në.

Jam i bindur se qeveria do të dijë ta menaxhoj mirë edhe këtë të ashtuquajtur “ngërç” dhe se fitues do të dalin në radhë të parë veteranët real, po edhe historia.

e kompensimit për veteranët – luftëtarë të UÇK-së nuk bën dhe nuk duhet lejuar të ndërlidhet me pagën minimale; ata meritojnë e duhet ta kenë këtë mbështetje që ju pret, më të dinjitetshme. Kjo mund të arrihet nëse gjykojmë me mendje të kthjelltë e arsye të shëndoshë.

“Ballkani i Hapur” – një stisje për të zëvendësuar integrimin në BE

“Bota sot”: “Ballkani i hapur”, mbetet një iniciativë që po sjellë debate edhe në opinionin ndërkombëtar. Sipas jush a duhet Kosova të jetë pjesë e saj?

Ramabaja: Në një nga analizat e mija të fundme të publikuar në faqen e Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë dhe në disa media në Tiranë, të ashtuquajturën ide për “Ballkanin e hapur” e kam cilësuar si një stisje për të zëvendësuar integrimin në BE. Natyrisht si projekt ai mëton ta zëvendësojë, respektivisht ta bëjë të parealizueshëm Procesin e Berlinit dhe me këtë edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor ta shtyjë për në kolendrat greke. Ky është interesi strategjik serbo-rus. Në këtë grackë nuk guxojmë e nuk duhet të biem assesi.

Është mirë që klasa politike në Kosovë, si pozita edhe opozita, me përjashtime fare të vogla, është në unison në raport me këtë çështje.

“Bota sot”: Liberalizimi i vizave së fundmi nuk e mori dritën jeshile nga BE-ja. Kur mund të pritet liberalizimi i vizave?

Ramabaja: Për mua kanë qenë të pritshme ndryshimet pozitive në raport me vendimin për nxjerrjen nga getoja ku është mbajtur Republika jonë dhe qytetarët e saj për dy dekada me radhë. Duket se ky qëndrim ka qenë i akorduar mes Beogradit dhe aleatëve të tij brenda BE-së.

Por, lufta në Ukrainë dhe qëndrimi i hapur i Rusisë për rishikimin e interesave të saj gjeopolitike jo vetëm në raport me shtetet-fqinje të saj, por edhe me Ballkanin Perëndimor, ka imponuar rishikim të plotë të pozicionimit të Francës dhe një lagjeje të vogël shtetesh të BE-së në raport me Kosovën dhe të ardhmen e Europës Juglindore në përgjithësi.

Intenca e zbarkimit rus (për herë të katërt në historinë moderne) në Europë, duket se kësaj radhe do të përfundoj në dobi të interesave jetike shqiptare.

“Bota sot”: Ku e shihni problemin për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, përveç deklaratave se kushtet janë plotësuar, ato nuk u hoqën? A mos ndoshta ka të bëjë me përpjekjet që të mbrohen nga shteti të akuzuarit në Hagë, mos arrestimi i ‘peshqve’ të mëdhenj, tashmë me dekada, për krim e korrupsion, po kthehen në pengesa?

Ramabaja: Jo, ky proces nuk gjykoj se ka të bëjë me procesin e të akuzuarve që tani ndodhen në Hagë. Ai ndërlidhej gjithsesi me dialogun, por edhe me strategjinë për ndarjen e Kosovës.

Sidoqoftë, ky është viti kur pres të merret vendimi i arsyeshëm e në përputhje me logjikën pozitive që e ka shquar projektin politik të BE-së nga fillimi i tij si projekt sui-generis që ka paqësuar kontinentin e vjetër dhe ka siguruar paqen e prosperimin ekonomik.

Serbia ka kapitulluar më 9 qershor 1999

“Bota sot”: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet temë e pazgjidhur. A është afër dorëzimit Serbia?

Ramabaja: Serbia ka kapitulluar më 9 qershor 1999. Atë kapitullim e kanë nënshkruar gjeneralët serb pikërisht aty ku kishte zënë fill pushtimi i tokave shqiptare në fillim të shek.20-të, pra në Kumanovë.

Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj si akt politik i akorduar edhe si kompromis i saj me fuqitë perëndimore, duke marrë në konsideratë edhe interesat gjeostrategjike të aleatëve tanë jetik (SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë…).

Njohja e Kosovës nga ana e Beogradit tashmë është një proces që po shkon drejt përmbylljes së tij. Ky akt do të pasojë shpejt deshi apo nuk deshi kjo garniturë që e drejton sot Serbinë.

Por, edhe nëse trinomi serb: Politika – Ushtria dhe Kleri nacionalfashist (Kisha serbe) assesi nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës, dielli nuk bie mbi tokë. Kosova mund të jetoj edhe pa njohjen e Serbisë. Madje unë gjykoj se ky akt, do t’i ndihmonte procesit të rikëndelljes politike të faktorëve perëndimor, duke i hapur rrugë integrimit të dy republikave tona (Republikës së Shqipërisë politike dhe Republikës së Kosovës) në një Federatë.

“Bota sot”: A është i gatshëm kryeministri Kurti të bëjë lëshime, pasi është rritur trysnia ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshje? A mund të ndodhë që të pranohet një asociacion përkundër vendimit të kushtetueses apo me vendimin e kushtetueses dhe plus diçka tjetër? Dhe si e shihni ju zgjidhjen?

Ramabaja: Kjo pyetje më duket se është produkt i një koncepti politik me kokë poshtë! Gazetaria jonë duhet të lirohet nga stili dhe koncepti që ka imponuar pavetëdijshëm ndërdija politike e një shtrese drejtuesish të deridjeshëm me mendësi kapitulluese në raport me Beogradin.

Shqiptarët dhe ata që përfaqësojnë politikisht këtë pjesë të kombit tonë, nuk duhet të ndjehen inferior në raport me Serbinë. Ne ishim, fundja, fitues në vitin 1999. Mbijetuam si popull plot tri akte gjenocidale (1877/78, 1912/13 dhe 1998/99) dhe krijuam Republikën e dytë, në truallin gacë të Dardanisë antike, si një ledhë i fortë mbrojtës i civilizimit perëndimor.

Perëndimi, pra aleatët tanë, kanë nevojë për një Republikë funksionale, jo për asfiksimin e saj përmes “Republikës Serbe”, si u eksperimentua në Bosnjë.

Gjykata jonë Kushtetuese, por edhe qeveria e përgjegjshme Kurti 2, kanë krijuar parakushtet për tejkalimin e atij rreziku ku na kishin futur me nënshkrimin e tyre Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa duke nënshkruar marrëveshje tejet të dëmshme për Republikën (2013 & 2015).

Ligji për LUSTRACIONIN – nevojë imediate

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për punën e SHIK-ut, a duhet hetuar si kërkonte VV-ja, krijimin e një komisioni parlamentar, veçanërisht në kontekst, kur një figurë tipike proserbe, si Fatmir Sheholli, deklaron se ishte pjesë e SHIK-ut, dhe me kë bashkëpunonte ngushtë?

Ramabaja: Është një kapitull specifik i historisë sonë moderne politike që duhet të përpunohet dhe mbyllet nga politika dhe drejtësia. SHIK-u në zanafillën e tij mund të jetë menduar si një mekanizëm në shërbim të Lirisë, por fatkeqësisht, me kalimin e kohës, si strukturë ka degjeneruar dhe ka rrëshqitur në krim. Këto ditë u bë temë debati deklarata e ish punëtorit të UDB-së, Fatmir Sheholli, se pas luftës paska punuar edhe për SHIK-un. Më bëri përshtypje se në media pak u lakua pjesa e parë e deklaratës së tij – fakti se në vitet ‘90-ta gjoja paska pas punuar edhe për LDK-në, duke i dhënë strukturave të saj informacione të ndjeshme.

Parlamenti ynë është vonuar së tepërmi të aprovojë Ligjin për lustracion. Vetëm ai do ta mbyllte këtë kapitull gjithashtu tepër të ndjeshëm të së kaluarës sonë. Ish kolaboratorët e UDB-së dhe sistemit politik serb që aplikoi në dekadën e fundit të shekullit 20-të – APART’HEIDIN më atipik, në zemër të Europës e për turpin e saj, mund e duhet t’i heqim nga skena politike, publike dhe mediale vetëm përmes atij ligji. Ai do t’i shërbejë shumë procesit për funksionalizimin e plotë të Republikës, zhvillimin ekonomik të saj dhe aplikimit të Shtetit të së drejtës.

Shtetin e së drejtës duhet shikuar gjithmonë në proporcion me interesat jetike të kombit dhe duke i ndërlidhur e në shërbim të funksionalizimit të Republikës.