Ekspertët: Kujdes gjatë vetingut në gjyqësor, institucionet të pastrohen nga kuadrot partiak

Ekspertët me mendime të ndryshme nëse duhet të zbatohet veting në gjyqësor ose jo. Ish-gjykatësja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Mirjana Llazarova-Trajkovska thekson se gjyqësori duhet të pastrohet nga njerëzit joprofesional. Jo vetëm gjyqësori, por të gjitha institucionet si administrata, drejtoritë, policia të pastrohen nga kuadrot partiak, sepse të njëjtit janë mbushur përplot me punësime partiake, që nuk kanë njohuri dhe përvojë të mjaftueshme.

“Çfarëdolloj vetingu që mund të zbatohet në gjyqësorin në vend, i ngjashëm me atë në Shqipëri ose diçka të tillë, kërkon ndryshim të Kushtetutës dhe ndryshim të rregullave ligjore. Nuk është puna nëse dikush është kundër ose pro vetingut, është e rëndësishme të zgjidhet modeli më i mirë, i cili do të mundësoje të kthehet besimi jo vetëm në gjyqësor por edhe në institucione tjera. Problemi ynë është funksionimi i dobët i institucioneve në përgjithësi”, theksoi Llazarova – Trajkovska.

Vetingu në gjyqësor mund të kthehet ne revanshizëm politik, prandaj duhet të ketë kujdes serioz gjatë zbatimit, sepse kjo gjë mund të sjellë disbalans në mes gjyqësorit dhe ekzekutivit, tha Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për politikë evropiane.

“Njëri nga rreziqet në procesin e vetingut është mundësia për ndikim më të madh të partive politike dhe ekzekutivit mbi gjyqësor. Kjo mund të na kthejë edhe shumë vite mbrapa dhe në vend se të kemi gjyqësor të pavarur të kemi varësi më të madhe dhe imponim të ekzekutivit mbi gjyqësorin”, deklaroi Ristevska Jordanova.

Ekspertët thonë se vlerësim për punën e gjykatësve duhet të japë Këshilli gjyqësor sepse në të kundërtën ekziston rreziku i përfshirjes së politikës në gjyqësor.