Zaev kërkon mandat të plotë, premton zhvillim të madh ekonomik

“Kërkoj mandat të pastër në zgjedhjet e ardhshme dhe bëj thirrje për LSDM-në të votojnë edhe qytetarët e bashkësive tjera etnike. Më 12 prill dalim me pritjet se progresi i shtetit do të vazhdojë dhe se asnjëherë nuk do të kthehet sundimi i regjimit të VMRO-DPMNE-së. Neve nuk na duhen grindje të reja me shqiptarët në shtëpi dhe shtetet fqinje. NATO dhe BE janë çështje të mbyllura, marrëdhëniet në shtëpi mes bashkësive poashtu, prandaj kërkoj mandat që të shikojnë qytetarët se çfarë ekonomisti mund të jem. Dua që gjyqësinë ta çoj në rrugë të drejtë dhe prandaj do ta pastrojmë, arsimin ta bëjmë konkurrent me kuadro të profilizuar, shëndetësia të ketë mjek të motivuar, të krijojmë kulturë bashkëkohore, jo antike si dhe të rrisim transferet sociale, pagat dhe pensionet, ka thënë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në intervistën për TV Klan Maqedoni, përcjell GazetaExpress.

Ai ka shprehur bindjen se është fitues i sigurt i zgjedhjeve prandaj qytetarët e dinë se shteti shkon në rrugë të drejtë dhe se çdo alternative tjetër do të thotë kthim i shtetit 25 vite prapa dhe me këtë aktualizim i problemeve të vjetra.

Ka shtuar se dy qëllimet strategjike janë përmbushur në planin ndërkombëtar dhe menjëherë janë vërejtur rezultatet në ekonomi.

“VMRO-DPMNE 11 vite sundoi dhe nuk bëri asnjë hap që të ndihmojë shtetin. Ajo që Mickoski dëshiron të jetë kryeministër, nuk shkon përtej perceptimit të gjërave. Që të keni argumente, patjetër të keni ofertë, program, ndërsa ata vetëm na larguan nga NATO dhe BE…”, ka thënë Zaev.

“Do ju rikujtoj për një takim me një banor të Haraçinës kur kemi folur për programin e hapur multietnik të LSDM-së, ai më tha se shqiptarëve nuk ju nevojitet kantonizim, por kanalizim. Dhe ja, projekti po implementohet. Ne jemi këtu për problemet reale të qytetarëve dhe prandaj pres mbështetje nga të gjithë”, ka thënë Zaev në intervistën për TV Klan Maqedoni.