Kina ka besim të plotë në epërsinë e sistemit të vet për mposhtjen e epidemisë

Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKK-së zhvilloi të hënën një mbledhje, ku dëgjoi një raport mbi punën e parandalimit dhe të kontrollit të koronavirusit dhe studioi punën e ardhshme. Në mbledhje u vu në dukje se epidemia e tanishme është një sfidë e rëndë për sistemin dhe kapacitetet qeverisëse të Kinës. Tani puna më urgjente është shpëtimi i të sëmurëve dhe sigurimi i materialeve mjekësore. Njëkohësisht, në mbledhje u kërkua t’i jepet më shumë rëndësi garantimit të furnizimit të materialeve të jetës së përditshme për banorët, si zarzavatet, qumështi, vezët dhe drithërat.

Më parë po të hënën, Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës organizoi një konferencë shtypi, në të cilën bëri të ditur se, me mobilizimin e të gjithë shoqërisë, në përgjithësi problemi i mungesës së materialeve në provincën Hubei është zgjidhur në një masë të madhe. Është shumë e qartë se epërsia e sistemit shtetëror të Kinës po shndërrohet në efektivitet qeverisës, duke zgjidhur problemet e sfidat gjatë gjithë procesit të marrjes e të zbatimit të vendimeve. Kështu, është arritur përparim në punën e parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë.

Epërsia më e madhe e një vendi është sistemi i tij. Pas krijimit të Republikës Popullore të Kinës, është formuar gradualisht një sistem shtetëror dhe një sistem qeverisjeje me karakteristika kineze, që kanë treguar epërsinë e tyre gjatë praktikës, duke përfshirë udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, vendosjen e popullit në qendër, përqendrimin e forcave të gjithë vendit për të zgjidhur problemet madhore etj. Ky sistem është garantimi i përparimit të Kinës dhe është mbështetje e fortë për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë.

Kina i njeh shumë qartë dhe ka bërë studime të hollësisht lidhur me problemet në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë. Megjithëse detyra është shumë e vështirë, nëse shfrytëzon plotësisht epërsinë e sistemit të vet dhe mbështetet te populli, Kina do ta fitojë patjetër këtë betejë kundër epidemisë dhe do të garantojë sigurinë e jetës dhe të shëndetit të masave popullore. (Vera)