Zaev: Ideja për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë nuk është e mirë, ardhmërinë e kemi në BE

Besoj se Ballkani nuk është më bombë e kurdisur, por po shndërrohet në Ballkan evropian ku po ndërtohen ura të miqësisë dhe gjenden zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Jam i bindur se edhe ato zgjidhje që nuk janë gjetur ende, do të gjenden përmes dialogut, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në intervistën e mbrëmshme për televizionin N1 të Beogradit.
I pyetur rreth idesë për bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë, Zaev vlerësoi se nuk është ide e mirë, dhe se ardhmëria e përbashkët e gjitha vendeve të rajonit është në BE.
“Europa pa kufij, Evropa ku njerëzit punojnë, bashkëpunojnë dhe komunikojnë mes veti. Jam i bindur se këto janë ide të individëve, se ata janë pakicë dhe nuk do të kenë ardhmëri, sepse besoj që përmirësimi i bashkëpunimit në rajonin tonë është pjesë e jona”, deklaroi Zaev.
Duke folur për Mini Shengen, Zaev theksoi se ky projekt është në dobi të gjithëve dhe do ta avancojë bashkëpunimin rajonal.
“Nëse një maqedonas mund të aplikojë për punë në Nish ose Novi Sad, njësoj si një serb, ose anasjelltas një serb mund të aplikojë për punë në Strumicë ose Shkup, nëse shkëmbimi ynë i prodhimeve vërtetë e përshpejton procesin e vendkalimeve kufitare, nëse mundësojmë njohje të diplomave me çka qytetarët do të munden më lehtë të gjejnë punë, nëse mund të ju themi investitorëve të huaj se për investimin e tyre në Vranje ose Nish, nëse kanë nevojë për numër plotësues të inxhinjerëve, mund t’i gjejnë në Shkup dhe t’i punësojnë, kjo do të jetë në dobi të gjithëve”, deklaroi Zaev, duke shpresuar se Mini Shengeni do të tërheqë seriozisht edhe vëmendjen e qeverisë së re kosovare, por edhe të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, sepse në atë mënyrë rajoni si tërësi do të lëvizë më shpejtë drejt BE-së, transmeton gazeta Lajm.
Lidhur me raportet mes Beogradit dhe Shkupit, duke pasur parasysh që Serbia dhuroi mijëra vaksina për Maqedoninë e Veriut, por edhe problemet në të kaluarën, Zaev tha se bashkëpunimi vazhdimisht po përmirësohet dhe po avancohet.
“Populli serb dhe maqedonas gjithmonë kanë qenë miq të mëdhenj dhe vëllezër, shumica janë krishterë ortodoksë, kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Në të kaluarën kemi pasur disa drama që ndodhën në kohën e ndryshimit të qeverisë në vitin 20177, sepse në vendin tonë ndodhte proces i përgjimit masiv”, tha Zaev, duke shtuar se pasi mori funksionin në qeverinë e re, ai e ka zgjidhur problemin me Vuçiqin dhe që atëherë ata kanë bashkëpunim mes veti që vazhdimisht avancohet.
Në këtë drejtim, ai përmendi se para disa muajve është sjellur vendim me të cilin gjuha serbe kthehet si gjuhë fakultative nga klasa e tretë deri në klasën e gjashtë dhe se po bëhen përgatitje që kjo të bëhet edhe në klasat më të larta.
“Akti i fundit i dashurisë vëllazërore që e tregoi populli serb është dhurimi i 8.000 vaksinave, kur ndihet mungesë e vaksinave gjithkund në botë dhe kur Serbia nuk ka mjaftueshëm. Ky me të vërtetë është një akt i madh i miqësisë të cilin unë dhe populli jonë nuk do ta harrojmë”, tha Zaev.
I pyetur nëse kontesti mes Kishës Ortodokse Maqedonase dhe asaj serbe mund të ndikojë në marrëdhëniet me Serbinë, Zaev konfirmoi se nga Kryepeshkopi ka kërkuar pavarësi të KOM-it, dhe se atë çështje e ka ngritur edhe në urimin e dërguar tek patriarku i ri i KOS-it, Porfirij.

Në intervistë Zaev ka folur edhe për krizën me pandeminë dhe kufizimet e mundshme të udhëtimit. Lidhur me atë nëse qeveria në Shkup mendon se si udhëtarët nga Serbia do të kalojnë përmes Maqedonisë së Veriut gjatë verës, duke pasur parasysh gjendjen me koronavirusin, Zaev tha se edhe kur kishte numër më të madh të infektuarëve, kufijtë me Serbinë kanë qenë të hapur, me përjashtim të 20 ditëve kur u paraqit soji britanik.
“Mbrëmë patëm tre autobusë nga Nishi këtu në Siti Moll. Ata erdhën të blejnë me maska, sepse nuk kanë mundur të blejnë në Serbi për shkak të masave”, tha Zaev, duke shtuar se do të gjenden zgjidhje më fleksibile për qytetarët serbë që të vijnë dhe të kalojnë përmes Maqedonisë, dhe qytetarët maqedonas të shkojnë në Serbi.