“Terrene golfi në Kodrën e Diellit”, tallje me qytetarët

Drejtuesit e nismës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” i quajnë të turpshme dhe tallje me qytetarët premtimet e ministrit të jashtëm Bujar Osmanit për investimet në Kodrën e Diellit. Hamdi Sulemani thotë se qytetarët tashmë 20 vite janë lodhur me premtime boshe për këtë pikë turistike.

Është deklaratë e turpshme ajo që ai thotë se do bëj golf terrene dhe qendër rekreative sportive shumë të fortë. Fytyra të njëjta 20 vite me radhë po e premtojnë revitalizimin e Kodrës së Diellit dhe është mëkat i vërtetë se këta njerëz çka premtojnë e nuk bëjnë asgjë. Dashtë Zoti e të bëhet për rehabilitimin e mendjeve të tyre që sot po tallen me gjithë ne qytetarët me premtimet e tyre – tha Hamdi Sulemani, Nisma “Ta shpëtojmë kodrën e Diellit“.

Pos Osmanit, investime në Kodrën e Diellit premtoi edhe kryeministri Zaev. Ky i fundit madje tha se ka gjetur investitor të huaj, i cili është i gatshëm të investojë dhjetëra miliona euro, por nuk bëri publik as investitorin as kompanitë që janë në bisedime. Për Arianit Xhaferin nga EkoGuerilla, deklaratat e këtilla janë vetëm për marketing zgjedhor.

Këto janë përralla parazgjedhore, asgjë më shumë. Gjithnjë para zgjedhjeve vijnë me premtime të mëdha se do ketë 80 milion apo 50 milion euro investime, se do bëhet fushë golfi pra gjitha këto janë përralla parazgjedhore asgjë më tepër. Derisa nuk ka një informacion zyrtar se kjo kompani me këtë emër që ka këtë përvojë në këtë shtet do menaxhoj Kodrën e Diellit gjithçka tjetër është vetëm përralla asgjë tjetër. Jemi mësuar me këtë qasje dhe unë personalisht nuk pres se do bëhet diçka në atë drejtim – u shpreh Arianit Xhaferi, aktivist.

Premtimet për Kodrën e Diellit deri tani nuk i ka realizuar as Komuna e Tetovës. Vite më parë ishte premtuar revitalizimi i rrugës tek vilat e kësaj pike turistike ku shpesh ndodh që kanalizimi të rrjedh rrugës. Ndërkohë ndriçimi gjithnjë mungon, por edhe përkundër marrjes së kredisë nga Banka Botërore, ky projekt nuk u realizua dhe mjetet u ridestinuan për furnizime me makineri të Ndërmarrjes publike komunale.