Kurti: Me Vuçiqin do takohem për kapitull të ri të dialogut, jo për dialogun e vjetër

Kurti para medieve ka thënë se sa më parë që të caktohen zgjedhjet, do të jetë më mirë, shkruan lajmi.net.

Në këtë kuadër, ai ka thënë se pritet që zgjedhjet të mbahen në tetor.

“Për ne sa më herët aq më mirë, por gjithçka tregon se tetori do të jetë muaji i zgjedhjeve të reja lokale”, tha Kurti.

Kryeministri u pyet edhe për kandidatin e partisë së tij për të parin e Prishtinës.

“Këshilli i Qendrës së VV-së në Prishtinë e përcakton këtë. Do të ketë proces të brendshëm në përputhje me statutin dhe me siguri që do ta kemi emrin që i duhet kryeqytetit”, tha ai.

Kurti në këtë paraqitje para medieve foli edhe për procesin e dialogut. Tha se takimi me Vuçiqin s’do jetë në kuadër të vazhdimit të procesit të deritanishëm, por siç tha ai për dialog të ri.

“Kam takuar dy prej tre kryetarëve të opozitës. Do ta kemi edhe një diskutim në Kuvend për gjendjen e deritanishme të dialogut të kaluar sepse duhet të shohim se ku ndodhim në marrëveshjet e dikurshme dhe zbatimin e tyre. Në takimin në Bruksel, nuk është takim i vazhdimit i dialogut. Është takim i parë në të cilën për herë të parë do ta kem presidentin e Serbisë të cilin s’e kam takuar asnjëherë në jetë, nëse përjashtojmë tryezën me mbi 30 veta në shkurtin e vitit 2020 në Mynih të gjermanisë. Ky është takim i parë dhe aty mund të shohim se çka mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”, tha Kurti.