Taravari-Qehaja diskutuan për bashkëpunime ekonomike dhe tregtare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari ka mirëpritur në takim ambasadorin e Kosovës në Maqedoni, Florian Qehaja.

Taravari në një postim në rrjetin social Facebook, është shprehur se me ambasadorin Qehaja kanë biseduar për situatën aktuale politike në rajon si dhe bashkëpunime të mundshme ekonomike e tregtare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Postimi i plotë:

“Mirëprita sot në takim ambasadorin e Kosovës në vendin tonë, shkëlqesinë e tij z. Florian Qehaja me të cilin bashkëbiseduam mbi momentumin politik në të cilin ndodhet rajoni, rëndësinë e ruajtjes së orientimit properëndimor të vendeve tona dhe përgjegjësitë e së ardhmes evropiane. Theksuam se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës duhet të bashkëpunojnë ngushtë në eliminimin e çdo pengese burokratike në fushën politike, kulturore, ekonomike, tregtare dhe të gjitha sferat tjera të jetës për mirëqenien e qytetarëve tanë.
Diskutuam edhe mbi zhvillimin e komunave në të dy vendet tona përmes këmbimit ekonomik, rritjen e kapitalit njerëzor dhe vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet komunave tona, me qëllim të rrijtjes së bashkëpunimit për zhvillimin e tyre”, shkruan Taravari.

Kujtojmë se ditë më parë ambasadori Qehaja zhvilloi takim dhe me kryetarin e Komunës së Tetovës, njëkohësisht dhe kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.