Nga 3.000 denarë për çdo nxënës të klasës së parë në Gjorçe Petrov

Komuna e Gjorçe Petrovit ndau ndihmë financiare për nxënësit e klasave të para, ku familjeve u janë paguar gjithsej 1.369.000 denarë, përkatësisht nga 3.000 denarë për secilin nxënës të regjistruar në klasën e parë.

Nga Komuna bëjnë të ditur se kjo masë është zbatuar për herë të parë këtë vit, me qëllim që t’u ndihmojë familjeve në fillimin e arsimimit të fëmijëve të tyre dhe të ofrojë mbështetje shtesë për buxhetin familjar.

Sipas Komunës, mbështetja për nxënësit më të vegjël do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, përmes ndihmës financiare, sigurimit të çantave dhe mjeteve shkollore falas, si dhe një vakti falas për të gjithë nxënësit e klasës së parë.

Nga pushteti lokal theksojnë se kjo masë është pjesë e aktiviteteve më të gjera që synojnë përmirësimin e kushteve në arsim dhe mbështetjen e familjeve në komunë.