Sjellja në rreth

Shkruan: Blerim Shala 

Edhe një herë u kthyem në atë pikën fillestare.

Natyrisht, të gjithë ne e dimë që këtu është fjala për Veriun e Kosovës, për zhvillimet e fundit të kësaj pjese të vendit, e cila objektivisht, në një mënyrë apo tjetrën, është burim tensionesh dhe problemesh që nga qershori i vitit 1999, kur lufta përfundoi në Kosovë, dhe kur këtu u vendos misioni ushtarak i KFOR-it.

Të kuptohemi: Asnjëri prej dokumenteve ndërkombëtare dhe vendore për Kosovën, nuk arriti kurrë ta kalojë lumin Ibër dhe të vlejë për veriun e Kosovës, që nga viti 1999 e këndej.

Kështu ishte me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së; Kështu ishte me CSP-në (Propozimin Gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës) e Martti Ahtisaarit; Kështu është edhe me Marrëveshjen Bazë dhe me Aneksin e Ohrit, të cilat u dakorduan muajve të kaluar të këtij viti.

U duk që Marrëveshja e Brukselit (e prillit të vitit 2013), do ta adresojë si duhet sfidën e integrimit të veriut të Kosovës. Fillimisht së paku, në vitet e para të jetësimit të saj, qytetarët serbë morën pjesë në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme, dërguan përfaqësuesit e tyre në nivelin komunal dhe në atë të pushtetit qendror në Prishtinë. Pastaj, pati inkuadrim të policëve, gjykatësve dhe prokurorëve serbë në strukturat e rendit dhe ligjit. Megjithatë, me kalimin e kohës u kuptua që kjo Marrëveshje i ka arritur limitet e veta, se disi është shterë, dhe që duhej synuar atë Akordin gjithëpërfshirës, ligjërisht obligativ, siç ishte definuar nga Bashkimi Evropian.

Por, as kjo Marrëveshje në tentativë (apo në synim), nuk arriti dot ta kalojë lumin Ibër, dhe as të krijojë rrethana për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Këto ishin dy shkaqet kryesore pse Evropa në vjeshtën e vitit të kaluar (para se të gjithash Franca dhe Gjermania), ndërroi planin dhe në vend të finales së bisedimeve, zgjodhi, thënë në terminologji sportive, kualifikimin për finale, përmes Marrëveshjes themelore kalimtare, e cila do të duhej të shërbente si një themel i Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse.

Në këto rrethana të njohura, përmbajtja e Marrëveshjes Themelore, në përgjithësi ofronte më shumë shpresë se sa shqetësim për shqiptarët e Kosovës.

Zbatimi i saj i plotë, pa kurrfarë dyshimi, njëmend do të hapte rrugë për vendosjen e marrëdhënieve të papara deri më sot në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe do të linte për atë etapën konkluduese, realisht, vetëm njohjen formale reciproke, e cila do të shfaqej në sipërfaqe në mënyrë fare të natyrshme.

Në vijim të këtij Dokumenti bazë të Propozimit Evropian (siç u quajt më pas nisma franko – gjermane), ka qenë e logjikshme që së pari, të përgatitet një Aneks shumë i detajuar i implementimit të tij, duke përcaktuar, pos tjerash, edhe afatin kohor të zbatimit, shpërblimet dhe dënimet për palët të cilat do të dështojnë në zbatimin e tij, dhe së dyti, që kjo Pako (e bërë prej Marrëveshjes themelore dhe Aneksit ambicioz të implementimit të saj), të nënshkruhet në mënyrë solemne nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për më shumë, Presidenti i Francës Emmanuel Macron ishte i gatshëm të jetë nikoqir, në Paris, të kësaj ceremonie e cila do ta dëshmonte përkushtimin e të gjithë hisenikëve (Kosovës, Serbisë, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe SHBA-së), për të ecur para në drejtimin e duhur të përmbushjes së obligimeve dhe krijimit të raporteve të mira në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sot, natyrisht e dimë që Presidenti i Serbisë refuzoi ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit, që nuk pati fare ceremoni në Paris. Për më shumë, ende nuk dihet se a vlejnë apo jo për liderin serb obligimet e Marrëveshjes Themelore dhe të Aneksit të Ohrit.

Sot, poashtu e dimë që ende nuk është hartuar Plani i mirëfilltë i zbatimit të Marrëveshjes nga ana e Miroslav Lajçakut, Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Aneksi i Ohrit, siç është përmendur shpeshherë, në fakt është një deklaratë politike, e jo një Hartë e mirëfilltë rrugore e cila do të tregojë se si do të bëhet realitet Marrëveshja themelore.

Teksa pra hapi i parë i gjithë kësaj ndërmarrjeje ishte parimisht i pranueshëm dhe i mirë, mungesa e dy hapave të tjerë të logjikshëm (nënshkrimi dhe Plani i zbatimit), bëri që të mos krijohen rrethana për të pasur progres në jetësimin e Marrëveshjes.

Kur këto fakte bashkohen me atë dështimin e adresimit ndërkombëtar të çështjes së pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet lokale të 23 prillit, dhe të kthimit në punë të policëve dhe zyrtarëve serbë, (të cilët u larguan në nëntorin e vitit të kaluar), atëherë, nuk është shumë për tu befasuar pse mbërritëm sërish në një krizë të re të sigurisë në Veriun e Kosovës. /Klankosova.tv