Arrestohet një i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në “Shisha Bar”

Shkup, 1 qershor – Është arrestuar njëri nga të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e dyfishtë në kafeterinë “Shisha Bar” në Kalanë e Shkupit. Burime jozyrtare të policisë i kanë thënë gazetës KOHA se kapja e njërit nga të dyshuarit ka ndodhur paraditen e sotme, ndërsa vijon hetimi dhe kërkimi edhe i autorëve tjerë që vranë Jeton Krivanjevën dhe Enes Isenin, ndërkohë që i plagosur mbeti Tahla Ali, kamarieri i lokalit.

Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, nuk ka dashur të japë informata se kush është i arrestuari dhe për çfarë vepre penale dyshohet, pasi sipas tij, lënda është në Prokurori dhe për shkak të hetimeve, informata shtesë mund të japë vetëm prokurori i rastit. Në ndërkohë, zëdhënësja e Prokurorisë, Biljana Arsovska, nuk e ka pohuar por as nuk e ka mohuar informatën se i arrestuari, është njëri nga të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në kafeterinë “Shisha Bar” në Kalanë e Shkupit.

Ndryshe, vrasja e dy të rinjve – Jeton Krivanjevës dhe Enes Isenit ka ndodhur më 6 mars, kur më shumë se dy persona, të armatosur me kallashnikov – kishin gjuajtur në drejtim të viktimave brenda në “Shisha Bar”. Autorët e vrasjes, siç kishte raportuar policia, ishin larguar në drejtim të panjohur, ndërsa për disa orë më vonë, vetura e llojit “Audi” ishte gjetur e djegur tërësisht në afërsi të unazës se Shkupit. (koha.mk)