Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj që synojnë destabilizimin e Kosovës për t’i dhënë fund dhunës në veri të vendit, tha të enjten presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
“Sfida vjen nga Serbia, një vend që ende duhet ta pranojë të kaluarën e tij”, tha Osmani për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Situata është e tensionuar, por ne duhet të sigurohemi që të rivendosim sundimin e ligjit në Kosovë dhe të kuptojmë se kërcënimi vjen nga mohimi i ekzistencës së Kosovës si shtet sovran nga ana e Serbisë”, tha ajo.
Osmani tha se Serbia po mbështet aktivisht “strukturat ilegale” në Kosovë për të destabilizuar vendin nga brenda.Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për tensionet në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
“Presidenti Vuçiq duhet të ndalojë së mbështeturi bandat kriminale nëse ai vërtet dëshiron paqen”, tha ajo. “Ai ende nuk e ka treguar këtë.”
Vuçiq e ka hedhur fajin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai, të enjten u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.
Duke folur pas mbërritjes në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, Vuçiq tha se një hap i tillë do të ishte “lëvizja më e fuqishme” për zgjidhjen e krizës.Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.
“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha mes tjerash presidenti serb.
Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ai i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës në Sllovaki, të mërkurën, që të luante rolin e tij në zbutjen e krizës dhe shtoi se shpreson që të njëjtin mesazh t’ia transmetonte presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moldavi.
“Ne kemi arritur në një pikë që është e domosdoshme që nivelet alarmante të dhunës të vërejtura në fillim të kësaj jave të ndalen menjëherë. Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në një situatë shumë të rrezikshme”, tha ai.
Samiti në Moldavi do të prekë gjithashtu një sërë çështjesh strategjike, duke filluar nga energjia te siguria kibernetike dhe migrimi.