Shpresa të reja për zbardhjen e rastit “Alfa”! Videoja e pastruar është dorëzuar në Gjykatë, pritet vendimi!

Pas 13 vitesh në burg, ka shpresa të reja se do të dëshmohet pafajësia e dy të dënuarve në rastin “Alfa”, Agim Islamin dhe Rexhail Qerimi. Ramiz Dauti, i afërmi i njërit prej të dënuarve tregon se tashmë në gjykatë kanë dorëzuar videon e pastruar dhe analizuar. Ekspertizën e kanë kryer në një shtet të huaj, sepse në vendin tonë nuk u bë, as nga organet e shtetit. Ai tregon për TV21 se tani në videon e pastruar, shihen më shumë detaje, e që më parë nuk kanë mundur të dallohen për shkak të cilësisë së ulët.

“Kjo është një shpresë shumë e madhe për ne që na jep hapësirë për rigjykim të rastit, na jep mundësi ligjore për rastin dhe tani shpresojmë, ne ekspertizën e kemi dorëzuar në gjykatë dhe presim ditët në vijim, këto 10 ditët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për neve që të merret parasysh si dëshmi e re dhe njëkohësisht aty dëshmohen të gjitha padrejtësitë që janë bërë deri më tani, këto 12 vite që janë në burg, të pafajshëm, kategorikisht e them, për shkak se kam qenë edhe vetë i arrestuar për të njëjtin rast”, tha për TV21, Ramiz Dauti i afërm i të akuzuarve.

Se me videon e pastruar do të dëshmohet pafajësia, pret edhe avokatja e të akuzuarve, Artene Iseini. Shprehet se ekspertiza flet shumë për rastin dhe do ta ndryshojë gjithë kahjen e procesit. Kërkesa për përsëritje të procedurës është parashtruar gjatë javës në Gjykatën Themelore të Shkupit, ku këshilli gjyqësor tani duhet të sjellë vendim.

“Ky mjet juridik llogaritet si prioritet, do të thotë Gjykata duhet në afate më të shkurtë[ra të mundshme të sjellë vendim, çka mendoj se vendimi do të jetë pozitiv, dhe të lirohen të mbrohen në liri të dy të lartpërmendurit. Pastaj të fillojë rigjykimi dhe kjo provë, ose ky mjet juridik, po të ishte i njohur në procesin gjatë gjykimit paraprak, sigurisht se nuk do të mund ta shfrytëzonim në këtë fazë, por në këtë fazë kemi diçka të re e cila mund të sjellë edhe ndryshimin e tërë gjendjes faktike të konstatuar në vendimet paraprake”, deklaroi për TV21, avokatja, Artene Iseini.

Avokatja Iseini shpjegon për TV21 se edhe më herët është parashtruar kërkesë për përsëritjen e procedurës, dhe se si palë mbrojtëse kanë kërkuar pastrimin e video-materialit ose ekspertizë tjetër, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje nëse MPB ose Byroja për ekspertizë disponon me kapacitete për ta bërë këtë. Ekspertiza e kryer jashtë vendit ka kushtuar mijëra euro, ndërsa i afërmi i të dënuarve Ramiz Dauti, na tha se nga zyrtarë në Qeveri kanë marrë premtim se mund tua mbulojnë shpenzimet e bëra./TV21