Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë e organizoi Edicionin V me radhë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”. Kjo veprimtari letrare u mbajt në 21 mars – në Ditën Botërore të Poezisë. Për shkak të Pandemisë Covid -19 edicioni u organizua online. Në fjalën e hapjes të manifestimit, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani tha se, në kushte normale, ne sot do të takoheshim si gjithmonë në këtë veprimtari letrare, jo vetëm për ta shënuar një manifestim të radhës, por edhe për të këmbyer mendime, ide dhe kritika për zhvillimet në lëmin e letërsisë, por fatkeqësisht, për arsyet që tashmë të gjithë i dimë e që kanë të bëjnë me pandeminë Covid – 19, jemi të detyruar që të gjejmë forma të tjera organizmi përmes platformave online. Me këtë rast, ai u shprehu ngushëllime familjarëve kudo në botë që humbën të afërmit e tyre nga virusi korona, duke u uruar shërim të gjithë të infektuarve nga ky virus i tmerrshëm.
“Sot jemi tubuar bashkërisht për ta shënuar Ditën botërore të poezisë, për t’ia shprehur nderimin tonë asaj për mundësinë që na ofron për të plotësuar tërë atë që është e këndshme në urtësi dhe që është e kapshme në dëshira. T’i shprehim nderim poezisë nga që e meriton në kohën tonë dhe në të gjitha kohët, për të vërtetën e saj për të ndikuar në zgjuarsinë dhe mendjet e njerëzve. Në ditën e saj me përmasa botërore, besoj nuk do ta teproja nëse them se poezia është e domosdoshme në këtë botë moderne, në të cilën ne jemi të pllakosur nga frika dhe trazimi”- theksoi Selam Sulejmani.
Referatin kryesor në këtë manifestim e paraqiti profesoresha e letërsisë në Universitetin e Tetovës, Vjollcë Berisha. Ajo e nxitur edhe nga situata pandemike e cila e ka vështirësuar zhvillimin normal në çdo veprimtari, u shpreh se “Një ditë kjo ka për të kaluar dhe ne do t’i kthehemi poezisë”

“Ishte një grafitë siriane që e pashë diku në postimet e feisbukut (2020) dhe që më bëri të ndjehesha si të kisha gëlltitur një humnerë. Ishte çasti kur një zë njeriu nga lufta artikulonte dëshirën për poezi, e poezia në atë fjali shumëfishohej në një grumbull kuptimesh që kishin të bënin me njerëzoren, me ndjenjën, me nevojën për t’iu kthyer jetës, për t’iu kthyer gjërave aty ku i kishin lënë. Përtej dobësisë njerëzore për tjetrin që vuan, përtypa në mendje plotninë e fjalës Poezi. A ishin poezi vetëm ato krijime letrare të shkruara në vargje? S’do mend që jo. Një grafitë e thjeshtë, shkruar në kohën kur njeriut i mungon gjithçka dhe e kërcënon pothuajse gjithçka, ishte zbërthimi më i mirë që mund t’i bëhej poezisë, atij krijimi të epërm ku përthyhen të gjitha ndjenjat, ku poeti është bashkarkitekti i gjësë që shpreh, se tjetri arkitekt është lexuesi, i cili s’dihet se sa është në numër dhe çfarë në të vërtetë i shton asaj”. “Dhe ne do t’i kthehemi poezisë” thotë artisti gjenial i atij shkrimi në mur, që ne e lexojmë: do t’i kthehemi asaj që kishim të shtrenjtë, jetës sonë normale me poezi brenda, ëndërrimit tonë, honeve të fshehta të vetes sonë, dashurive tona, udhës për në koncertin me harqe, vizores së thyer në fund të çantës… Ai premton poezinë, si shpresën e epërme, si blatimin më të lartë ndaj vuajtjes së njerëzimit.
E ndesha një ditë të rëndomtë këtë fjali që ma shndërroi në një muranë ditën e bardhë, të cilën ma mbanin në këmbë plot xhingla-mingla të rutinës. Ishte njësoj si të thyente një gotë dikush kur qeshë përhumbur në një këngë të qetë a në një roman të thellë. Mu ashtu më zgjoi dhe mendova për jetët e njerëzve që kishin dalë nga binarët dhe që ende diku shpresonin t’i ktheheshin poezisë për të ‘ngirë ujën’ elementare të qytetërimit”- veçoi në referatin e saj profesoresha Vjollcë Berisha.
Në kuadër të manifestimit letrar ndërkombëtar u mbajt edhe Ora letrare në të cilën morën pjesë poetë, shkrimtarë, veprimtarë të artit dhe kulturës nga vendi ynë, Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, si: Xhelal Zejneli, Entela Kasi, Rabije Bytiqi, Arlind Farizi, Rozafa Shpuza, Vjollcë Berisha, Fatos Rushiti, Teuta Anif Muji.

Në këtë pjesë të manifestimit u lexuan poezi të vet krijuesve por u deklamuan edhe poezi nga poetë të njohur, si: Frederik Reshpja, Ylber Merdani, Viktor Hygoi dhe të tjerë.
Edicioni V i “Shtigjeve poetike” u begatua edhe me pjesën muzikore nga artistët e talentuar Olti dhe Oreli Esati, të cilët realizuan disa melodi nga krijimtaria e artit muzikor.
Manifestimi i sivjetmë u mbështet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe u përmbyll me një debat, këmbim idesh, mendimesh dhe u vlerësua se ky model ndërkomunikimi është i dobishëm jo vetëm për afirmimin e artit poetik, por edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes krijuesve, letërsive, etnive etj.