UASHINGTON – Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur të ridrejtojë 52 milionë dollarë nga programi amerikan i financimit ushtarak për vendet e huaja.
Fondet, të destinuara fillimisht për Maqedoninë e Veriut, Sllovakinë, Tunizinë dhe Irakun, do të ridrejtohen drejt Panamasë, Perusë, Ekuadorit dhe Kolumbisë.
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin për këtë ndryshim, duke argumentuar se fondet do të përdoren për forcimin e sigurisë dhe luftën kundër narkotrafikut, si dhe për sigurinë e Kanalit të Panamasë.
Sipas raportimeve, ndihma ushtarake për Maqedoninë e Veriut nuk është ndërprerë plotësisht, por ende nuk është bërë e ditur se sa nga fondet do të mbeten për vendin.
Programi amerikan i financimit ushtarak ka qenë një nga mekanizmat përmes të cilit Maqedonia e Veriut ka mbështetur modernizimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes dhe bashkëpunimin me SHBA-në.
Vendimi i administratës Trump tregon një orientim më të madh të politikës amerikane të sigurisë drejt Amerikës Latine dhe hemisferës perëndimore.





