Me Tenney diskutoi për bashkëpunimin parlamentar, ndërsa me Self për partneritetin strategjik
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili po qëndron në një vizitë pune në SHBA me një delegacion qeveritar, sot në Uashington zhvilloi takime të ndara me kongresmenët amerikanë Claudia Tenney dhe Keith Self.
Në takimin me Tenney, bashkëkryetare e Grupit të Miqësisë me Maqedoninë në Kongresin amerikan, u diskutua për marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe SHBA-së, si dhe për forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe shkëmbimin e përvojave.
“Diskutuam për marrëdhëniet tradicionalisht të forta dhe miqësore mes Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar dhe shkëmbimit të përvojave mes dy vendeve”, shkroi Mickoski në Facebook.
Mickoski u takua gjithashtu me kongresmenin republikan Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Sipas Mickoskit, në këtë takim u diskutua për partneritetin strategjik mes dy vendeve, interesat e përbashkëta dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Claudia Tenney është kongresmene republikane nga Nju Jorku, ndërsa Keith Self është përfaqësues republikan nga Teksasi.
Pas Uashingtonit, delegacioni qeveritar do të udhëtojë drejt Nju Jorkut, ku Mickoski do të marrë pjesë në sesionin e sivjetshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri më herët ka paralajmëruar edhe takime dypalëshe me përfaqësues të vendeve fqinje dhe shteteve të Gjirit. Ai ka bërë të ditur se në agjendë, për momentin, nuk është paraparë takim me delegacionin bullgar.
(plusinfo.mk)





