Serbia në panik, aleatja e saj biologjike Rusia në luftë me botën / Putini i 200 miliardëve do të përfundojë më zi se Millosheviçi

Në një intervistë të veçantë flet ekonomisti, ish-bankieri në Londër dhe njëri nga ekspertët që projektuan Fondin Sovran të Kosovës, beson se Putini do të përfundojë më keq se Milosheviçi, sigurisht se në një situatë të ngjashme me atë në Ukrainë.

Ai beson se Rusia do ta pësojë rëndë edhe vetëm nga sanksionet e perëndimit, por nuk do të jenë të mjaftueshme për ta rrëzuar. Ai ka frikë se Putini do t’ia dal të formojë një qeveri kuislinge në Kiev, por kjo nuk do t’ia lehtësojë fundin atij.

Sanksionet do ta godasin edhe vetë Perëndimin, pasi lufta në Ukrainë, dhe raportet që po i krijon ajo do të nxjerrin në sipërfaqe rritje çmimesh, inflacion, dhe mungesa të tjera. Por, sanksionet që tashmë kanë krijuar panik tek oligarkët më së shumti do ta godasin vetë Putinin, i cili sipas disa vlerësimeve ka rreth 200 miliardë euro pasuri.

Bajraj, i cili i njeh shumë mirë tregjet financiare flet për rrezikun e tyre nga pasojat e luftës në Ukrainë. Ai flet edhe për shumë çështje, për të cilat në mënyrë të vazhdueshme ua ka tërhequr vërejtjen opinionit duke dhënë informacione delikate, madje të atilla që mungojnë edhe në mediat tona.

Bajraj kërkon, dhe beson se AKI-ja mund të bëhet një nga shërbimet më të shquara të inteligjencës. “Zgjerimi i agjencisë sonë të inteligjencës duhet të bëhet në sferën e personelit, efektivitetit operacional në rajon dhe më gjerë si edhe të përpiqet të integrohet brenda sistemit ‘Five Eyes’ (pesë shërbimeve sekrete më të mëdhatë në botë të anglosferës)”.

Sipas Bajrës, ombrella e mbrojtjes amerikane nga ndonjë sulm eventual bërthamor e përfshin edhe Kosovën, pra ne jemi brenda krahëve mbrojtës të saj, por ne duhet të jemi të vëmendshëm me Serbinë.

Po ashtu ai është angazhuar nga Qeveria e Kosovës, si ekspert i jashtëm në themelimin e “Fondit Sovran”, po ashtu ai është edhe autor.

Lexojeni në vijim intervistën e thelluar me në një personalitet shumë të informuar për pasojat ekonomike e financiare të luftës në Ukrainë, por edhe të fshehtësive të tjera.

“Bota sot”: Si po e vlerësoni konfliktin në Ukrainë, ka shpresa që ukrainasit të fitojnë pa u bërë pjesë apo pa krijuar një qeveri vasale ndaj Moskës?

Emanuel Bajra: Unë mendoj që Ukraina është në një situatë shumë të vështirë. Po përballet me një forcë të madhe ushtarake, por po reziston me sukses. Në gjithë këtë katrahurë gjeopolitike, Putini ka keqkalkuluar pasi që ukrainasit nuk janë komb që duhej të anashkaloheshin nga Putini. Si njohës i mirë i historisë, Putini duhej ta kishte ditur se ukrainasit do të rezistojnë deri në fund dhe gjasat janë që aventurat e pamenduara mirë, impulsive dhe ëndrrat me plot iluzione për restaurimin e perandorisë ruse do të përfundojnë në një tragjedi jo veç personale për Putinin, por edhe për popullin rus dhe se Ukraina do të jetë Afganistani i Rusisë. Do ta shohim se si rrjedhin gjërat në ditët në vazhdim, por, megjithatë unë kam frikë se instalimi i një qeverie vasale në Kiev është vetëm çështje ditësh. Fatkeqësisht dhe shumë tragjike për Evropën dhe qytetërimin tonë!

“Bota sot”: Si i vlerësoni sanksionet ekonomike, SËIFT, ato të tjera financiare dhe sanksione të tjera? Kur apo sa kohë duhet që të ndjehet efekti i tyre i menjëhershëm?

Bajra: Të vonuara, por të nevojshme. Unë mendoj që efektiviteti i këtyre sanksioneve do të ndihet disa javë më vonë ose muaj më vonë. Megjithatë një panik në mesin e oligarkëve që janë me bazë në Londër ka filluar të ndihet pasi që shumë nga institucionet financiare kanë ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të sanksionuar përdorimin e xhirollogarive private të këtyre njerëzve shumë të pasur. Putini është i pasur shumë. Sipas disa njerëzve që kanë bërë strukturimin e krejt aseteve dhe investimeve off-shore, onshore si edhe diversifikimeve dhe inxhinierisë financiare që ai ka bërë duke punësuar financier dhe avokat të shtrenjtë – pasuria e tij i kalon të $200 miliardë (dollarë) dhe kjo është një shumë tepër e madhe për tu fshehur. Kjo duke përjashtuar gjithë oligarkët tjerë përreth tij. Prandaj, sanksionet do ta kafshojnë, por ato do të marrin kohë.

“Bota sot”: Edhe Kina i ka vendosur disa restrikcione bankare, si do të ndikojnë edhe ato, veçmas nëse zgjerohen?

Bajra: Kina pozicionohet strategjikisht sepse ata e mendojnë ‘The Long Game’ ose planin afatgjatë. Kina është e mbingarkuar me valutën e dollarit dhe nuk e ka të lehtë ti futet avazit alla-Putinçe sepse ajo e mbaron Kinën shumë më shpejt se sa Rusinë. Prandaj, Kina e sheh si mundësi për një ri-startim më të mirë me perëndimin dhe kjo do t’i sjellë shumë përfitime kinezëve. Por, megjithatë kinezët mbeten konkurrentë të fortë të Perëndimit dhe janë kërcënim për vlerat euro-amerikane sidomos karshi sferës anglo-amerikane!

“Bota sot”: Ju keni përmendur edhe pasojat që mund të ketë Perëndimi nga sanksionet, si do të reflektojnë, në çfarë fushash dhe në ç‘mënyrë?

Bajra: Në Perëndim pasojat më të mëdha (nëse nuk ka luftë totale e të hapur me Rusinë) do të jenë shumëkahëshe në: Ekonomi, gjeopolitikë dhe teknologji. Në aspektin ekonomik, sanksionet do ta vështirësojnë fluiditetin e gazit dhe rrjeteve të energjisë, prandaj Evropa po i shikon mundësitë për alternativa të tjera që të importojë gaz likuid. Shtrenjtimi do të vazhdojë (çmimet do të rriten) si edhe niveli i inflacionit do të ngritet po ashtu. Rrezik i madh është edhe ofensiva kibernetike që Federata Ruse do ta ndërmerrë në javët e ardhshme, sistemi bankar dhe infrastruktura financiare do të jenë krejt kohen nën kërcënim të Rusisë.

“Bota sot”: Kievi ende nuk po bie, e diela ishte menduar si dita e fundit e rezistencës së ukrainasve. A ka shpresa të reja, për mosrënie të Kievit, dhe të mbahet e mbërthyer Rusia e Putinit në Ukrainë?

Bajra: Ukrainasit po tregojnë një shpirt të paimagjinueshëm luftarak. Ata do të rezistojnë deri në fund. Putini ka strategji tjetër. Unë mendoj se fytyrën e vërtetë të Putinit ne do ta mësojmë gjatë javëve në vazhdim. Ai po mundohet ta lodhë rezistencën ukrainase përderisa është i kujdesshëm që të mos shkaktojë dëme në njerëz dhe në infrastrukturë sepse tashmë me mediat sociale dhe platformat live e ‘raltime’ është shumë e vështirë të fshihet realiteti. Po ashtu, ai Putini, si duket është i habitur nga shpërthimi i pakënaqësisë globale, por edhe nga vetë sportistët dhe të famshmit rus. Putini, siç pat thënë kancelarja Merkel ‘është një njeri me mendësi të shekullit të XIX, me gjithë urrejtje, forcë të hekurt dhe gjak do të mundohet ta imponojë një botë tashme të vjetër, por që qeverisë dhe jeton ne shekullin XXI’. Putini do të dështojë në këtë luftë, por unë mendoj që ai do të përfundojë më keq se Millosheviçi, mbase jo në Ukrainë, por në një vatër tjetër lufte gjithsesi.

“Bota sot”: Pse duhet dhe sa mund të bëhet ‘zgjerimi’ i AKI-së?

Bajra: Zgjerimi i agjencisë sonë të inteligjencës duhet të bëhet në sferën e personelit, efektivitetit operacional në rajon dhe më gjerë si edhe të përpiqet të integrohet brenda sistemit ‘Five Eyes’ (pesë shërbimeve sekrete më të mëdhatë në botë të anglosferës). Sfidat gjeopolitike në vitet e ardhshme do të jenë shumë të mëdha dhe neve na duhet një shërbim inteligjent jo-politik, profesional, global, funksional dhe me një dinamikë operacionale të fuqishme. Qeveria duhet të investojë më shumë në forcimin e strukturës sonë të inteligjencës, teknologjisë dhe sistemeve të sofistikuara të inteligjencë-marrjes por edhe kundër-reagimit dhe inteligjencë-dhënies për aleatët tanë që u shërbejnë interesave të shtetit dhe popullit të Kosovës, por edhe sferës euro-atlantike.

“Bota sot”: Ju keni dhënë disa propozime të karakterit të sigurisë baza për KFOR-in dhe FSK-në, në kufi me Serbinë dhe lindje, detyrim për shërbim ushtarak, pse duhet të ndodhin këto (gjëra për të cilat si vendosja e FSK-së në veri, armatimi kemi shkruar që nga fillimi i krizës)?

Bajra: Kjo luftë në Evropë, pa u bërë i tepruar, duhet të shfrytëzohet nga ne, nga Kosova pra maksimalisht. Një partneritet i hapur konkret me SHBAUK-un do të na mundësonte neve duke e shfrytëzuar rrezikun që paraqet Serbia për sovranitetin tonë – që ne ti dërgojmë trupat tona ushtarake në veri me ose edhe pa KFOR-in, ne duhet të jemi në gjendje ta kontrollojmë gjithë territorin tonë. Serbia është mbërthyer në panik sepse aleati i saj biologjik e gjeopolitik është i zënë në luftë me botën. Ne duhet ta ridefinojmë konceptin e shtet-bërjes dhe tu themi miqve tanë se ky është momenti që ne ta kontrollojmë destinimin tonë politik e sovran dhe që në këtë partneritet me aleatët tanë neve të na garantohet hyrja në NATO brenda 2-vjetëve. Djemtë dhe vajzat tona janë dëshmuar të jenë ushtarë të denjë dhe ne kemi potencial dhe kapacitet të shndërrohemi në një shtet që prodhon paqe dhe stabilitet në Ballkan e më gjerë. Detyrimi ushtarak duhet të bëhet ligj dhe se ai është i domosdoshëm të ndodhë urgjentisht. Të rinjtë tanë duhet të kalojnë më shumë kohë duke u bërë pjesë të një qëllimi patriotik e kombëtar për mbrojtjen e atdheut, kur lypset nevoja e jo të humbin kohe në media sociale duke pritur që dikush tjetër t’ua servir fatin e tyre në duart e veta. Shërbimi ushtarak është kultivues i madh i vlerave pozitive njerëzore dhe për të rinjtë tanë kjo do të ishte një avantazh i madh për të ardhmen e tyre në aspektin e përfitimeve të shumanshme që nga aftësitë për punësim më të mirë në sektorin privat e deri te fitimi i disiplinave të rëndësishme për jetën e tyre dhe të ardhmen!

“Bota sot”: Pse duhet të formohen shtabet e mbrojtjes kombëtare në çdo qytet, të cilin rol ju e keni ideuar si logjistik, ushqim, strategji e mbrojtjes civile?

Bajra: Çdo vend i zhvilluar i ka këto shtabe. Edhe Kosova duhet t’i ketë. Nuk duhet të harrojmë se tashmë jemi në luftë në Evropë. Ukraina nuk është në Azi e as në Amerikën latine ose Afrikë – Ukraina është në Evropë dhe ajo ndodhet disa qindra kilometra vijë ajrore nga hemisfera Shqiptare. Pra, krijimi i shtabeve për mbrojtje është një domosdoshmëri e kohës.

“Bota sot”: Mbase është hera e dytë, që përmendni rrezikun bërthamor. Kësaj here keni shkruar se shteti duhet të mbledhë gjithë ekspertët në lëminë e armëve kimike, të ndërtohet një strategji kombëtare etj. Sa ka rreziqe apo cilat vlerësime e mbështesin një mundësi të këtillë?

Bajra: Siç edhe e kam pritur, Putini do ta përdorë kërcënimin me armë nukleare si levë për të avancuar interesat e veta që të shkaktojë panik, por edhe katrahurë në tregjet perëndimore si edhe në mesin e masave në Evropë dhe SHBA. Për ne është e rëndësishme që të jemi të përgatitur për çdo eventualitet. Biles një vetëdijesim më i madh në popullatë dhe nëse kemi mundësi edhe ndërtim të infrastrukturës dhe logjistikës anti-bërthamore duhet të shihen si mundësi preventimi ‘just in case’, siç thuhet në fjalorin e tregjeve. Pra, më shumë si masa preventive. Ombrella e mbrojtjes amerikane nga ndonjë sulm eventual bërthamor përfshin Kosovën brenda krahëve mbrojtës të saj, por ne duhet të jemi të vëmendshëm me Serbinë. Ne nuk e dimë se çfarë arsenali ushtarak kanë ata! Armë kimike? Ose diçka tjetër.

Image

Emanuel Bajra, ish bankier, ekspert i tregjeve, flet për rreziqet e luftës Rusi-Ukrainë, se çfarë duhet të bëjë Kosova

“Bota sot”: Çdo të thotë për ju, ‘parakalimi i një pate të zezë në mesin e atyre të bardha’!?

Bajra: Kur një ditë zgjohemi në mëngjes dhe si pasojë e një sulmi kibernetik global ndaj infrastrukturës së përgjithshme perëndimore, pa asnjë metodë komunikimi, internet, TV, telefoni etj., i shohim trupat ushtarake serbe duke u futur nga Bërnjaku e Merdarja dhe nga ana lindore e Kosovës duke e pushtuar Kosovën. Paramendoje! Ose edhe përdorimi i ndonjë arme kimike të padukshme nga fqinji ynë verior me objektiv Podujevën, Prishtinën, Gjilanin e Kamenicën. Të mos harrojmë kemi të bëjmë me një armik shekullor dhe që ka përdorur metoda nga më të tmerrshmet që nga helmimet në vitet e ‘80-ta ‘90-ta e deri te masakrimi i popullsisë civile shqiptare në Kosovë, me dekada e shekuj. Duhet të mendojmë siç mendon Izraeli për sigurinë e vet kombëtare. Më mirë të jemi paranoid se sa të mamifikohemi nga rreziku që e mendojmë që e kemi e nuk veprojmë asgjë për ta reduktuar atë rrezik.

“Bota sot”: Ju keni propozuar ri-organizim të financave të shtetit të Kosovës. Çfarë nënkupton kjo, si duhej dhe çka do të përfshinte riorganizimi?

Bajra: Qeveria duhet ti ketë në dispozicion të gjitha linjat e kreditimit me institucionet kryesore financiare ndërkombëtare për çfarëdo lloj rasti. Po ashtu duhet të kemi plane operacionale konkrete që nëse nga një sulm kibernetik në institucionet tona financiare, ne duhet të kemi mjete dhe logjistikë për ta mbajt ekonominë gjallë dhe që njerëzit të kenë qasje në CASH-in e tyre. Duhet një partneritet me bankat komerciale si edhe me Trustin që të përforcohen më tej linjat e kreditimit dhe qasjes në kapital. Po ashtu na duhet edhe rritja e nivelit të rezervave në ushqim nëpërmjet atyre shtabeve që i ceka më sipër. Pra, Kosovës i duhet një plan strategjik-operacional i tipit ushtarak që si koncept ka eventualitetin e luftës. Skenarët duhet të ndërtohen mbi këtë bazë dhe infrastruktura financiare është shumë e rëndësishme. Pastaj, duhet të mendojmë për remitancat – si do të mundet Kosova të pranojë remitanca nga jashtë nëse sulmi kibernetik e paralizon infrastrukturën bankare për javë e muaj të tërë? Rusia krejt lehtë dhe nuk është larg mendjes se do të mund ti këpusë kabllot telegrafike dhe ato të internetit që ndodhen në Atlantik dhe Paqësore – përmasat e këtij sulmi janë të mos them katastrofal për perëndimin. Ne jemi pjesë e kësaj hemisfere. Pra, një qeveri që është afër popullit dhe masës me plane konkrete operacionale gjithnjë do të jetë e suksesshme edhe për të parandaluar rreziqet.

“Bota sot”: Çka do të thotë këshilla juaj, veç tjerash për shqiptarët, t’u kthehen kursimeve, llojit të investimeve apo…?

Bajra: Ne duhet që gjithsesi të marrim pjesë në tregje, me anë të interesimit në tregjet financiare, të investohet në interes të rritjes së përfitueshmërisë personale, por edhe edukimit të fëmijëve tanë në fushën e financës dhe parasë. Është me rëndësi që ti edukojmë gjeneratat tona të ardhshme për paranë dhe mbi paranë. Kursimi duhet ta ketë një masë po ashtu – nëse je në Kosovë mundësitë janë më të vogla dhe kjo e ndihmon ekonominë e vendit, por nëse jemi në mërgim, atëherë kursimtaria jonë e ka ndihmuar historikisht vendlindjen dhe tashti duhet të ndihmojmë që ta krijojmë një rrjet të fortë të kapitalit fluid për të investuar direkt në ekonomi dhe besoj unë që Fondi Sovran i Kosovës do të ndihmojë në këtë proces.

“Bota sot”: Ju z.Bajra jeni pjesë e procesit të themelimit të Fondit Sovran të Kosovës. A mund të na sqaroni më shumë se çfarë kuptimi ka ky fond, çfarë përfiton Kosova, qytetarët etj.?

Bajra: Fondi Sovran do të jetë një korporatë dinamike financiare, shoqëri aksionare, e pavarur nga Qeveria, por në pronësi të plotë të Republikës së Kosovës. Fondi do t’i menaxhojë asetet strategjike të shtetit të Kosovës. Fondi do të jetë dritare e fuqishme për thithjen e kapitalit të jashtëm. Po ashtu Fondi do të luaj një rol të rëndësishëm në vitet në vazhdim me krijimin e tregut të kapitaleve të Kosovës, bursës dhe mundësitë për teknologjizim më të madh të ekonomisë sosë si edhe krijimin e parasë digjitale të Kosovës. Pra, Fondi do t’i jap krejt formë tjetër ekonomisë sonë në të ardhmen. Kosova e përfiton një vend të rëndësishëm në tregjet kapitale globale, potencial për prurje të kapitalit si edhe një interesim më të madh nga investitorët e huaj për të investuar në vend. Kosova bëhet magnet dhe shumë vend atraktiv për FinTech dhe kapitalin e ri që do të vijë si rezultat i rifillimit të ciklit të ri në ekonominë globale në mesin e kësaj dekade e më tej.

“Bota sot”: Cilat janë resurset e tij, (Fondit)?

Bajra: Nëntë ndërmarrje të vendit do të jenë pjesë përbërëse e Fondit: KEK-u, Posta, Telekomi, Trepça, Infrakos, Hekurudhat etj. Me kalimin e kohës gjeografia dhe arkitektura e Fondit do të rritet pasi që do të shndërrohet gradualisht në korporatën që menaxhon me krejt vlerën likuide dhe asetore të vendit. Në modelin që si grup punues ne kemi propozuar që resurset e Fondit të jenë të pavarura me një fond startues të nevojshëm nga Qeveria. Në modelin tonë ne kemi propozuar disa forma të vetëfinancimit, ndër këto modele janë: Nëpërmjet të një modeli të quajtur Kredi Investuese Garantuese ku ne i marrim borxh Trustit me një kthim minimal prej 0.01%, me anë të emetimit të bonove të thesarit nëpërmjet BQK-së, si edhe financimin startues nga Qeveria.

“Bota sot”: A mund të jenë përfitues njësoj të gjithë apo vetëm shtresa të caktuara?

Bajra: Fondi është i shtetit të Kosovës, i popullit të Kosovës dhe si korporatë dhe entitet aksionar. Fondi hap horizonte investimi dhe ridefinimi të modelit tonë ekonomik në të mirë të popullit të Kosovës duke iu bërë të mundur bizneseve, ndërmarrjeve dhe ndërmarrësve tanë qasje në kapital, por edhe rregulla të reja të të bërit ekonomi, krijimin e vlerave të shtuara dhe rritjen ekonomike të vendit. Fondi është një themel i fuqishëm i një ekonomie të fuqishme dhe dinamike të Kosovës në të ardhmen.