Profesori Mueller: Platforma ekonomike Alternativa-Aleanca ka bazë për zhvillim

Eksperti amerikan, Jens Muller, këshilltar i ish presidentit amerikan, Bill Klinton ka vizituar sot selitë e Alternativës dhe Aleancës për shqiptarët.

Në selinë e partisë Alternativa, është pritur nga kryetari Afrim Gashi, me të cilin kanë biseduar për platformën me të cilën koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët do të garojnë në zgjedhjet e 12 prillit. Profesori Jens Mueller në deklaratën e tij pas takimit tha se platforma e koalicionit të dy partive shqiptare paraqet një bazë të mirë për zhvillimin ekonomik, ndërsa shtoi se me një strategji të mirë dhe bashkëpunim ndërkufitar mund të ngrisë kapacitetet ekonomike, të ndalojë fluksin e migrimit dhe të rikthejë qytetarët që janë larguar periudhën e fundit në vendet e BE-së.

Jens Mueller, ekspert amerikan: Gjithmonë ka më shumë para dhe më shumë suksese jashtë shtetit, madje edhe në shtete më të vogla. Kjo nënkupton se ju keni mundësi të kaloni kufijtë për të krijuar marëdhënie të fuqishme për shkëmbim të dijes me automatizëm kirjon arsye dhe mundësi për të rinjtë të qëndrojnë këtu, të ndërtojnë familje dhe karierë profesionale. Me këtë automatikisht krijohen mundësi për përfitim të të gjithëve. Është kënaqësi të shohim këtë gjë, do të jetë kënaqësi që gjatë katër javëve të ardhëshme të fushatës të shohim se si ky mesazh ka rezonuar sepse kur ju shihni shtete në botë që bëjnë më të mirën, e shohim se të gjitha këto shtete janë të lidhura”.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se këshillat dhe mbështetja e ekspertit amerikan do të jetë e dobishme jo vetëm gjatë përpilimit të platformës por edhe në të ardhmen për krijimin e politikave ekonomike. Gashi u zotua se pas zgjedhjeve të 12 prillit eksperti amerikan do të jetë edhe këshilltar i Qeverisë në fushën e ekonomisë.

Afrim Gashi, kryetar i Alternativës: “Z. Jens Mueller është njohës i shkëlqyeshëm i rrethanave ekonomik. Ka qenë një këshilltarë i presidentëve amerikan, z. Klinton, ka këshilluar burrshtetas dhe kryetar të shteteve të rëndësishme siç janë Gjermania, Zelanda e Re, e vende tjera të rëndësishme. Andaj me gjithë këtë eksperiencë, ai do të mundohet të na sugjerojë dhe këshillojë për mënyrën më të mirë se si të përpilojmë një ofertë të mirë, por asistenca dhe këshillat e tij nuk do të mbeten vetëm këtu. Ne po flasim për mënyrën që pas zgjedhjeve, Qeveria e ardhshme ta angazhojë si ekspert të Qeverisë, që mbi të gjitha të punojmë shumë seriozisht, të punojmë me përkushtim që zhvillimin ekonomik në vend ta përshpejtojmë, ta përmirësojmë jetën e qytetarëve, ta ngrisim cilësinë e jetës, ti rrisim rrogat, të shtojmë vendet e punës dhe të bëjmë çmos q ëtë rinjtë të mos ikin më nga ky vend”.

Jens Mueller, aktualisht profesor universitar në Massey Universiti të Zelandës së Re, ka takuar edhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela me të cilin poashtu kanë biseduar rreth platformës së këtij koalicioni. Sela tha se në fokus të konsultave kanë qenë edhe zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe blektorisë për shkak të potencialit që posedon vendi dhe reformat në sistemin arsimor për të ngritur kapacitetet ekonomike.

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët: “Biseduam në lidhje me ofertën që ka koalicioni ALeanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Natyrisht që ai është i interesuar dhe ne biseduam në lidhje me potencialin ekonomik që ka Maqedonia e Veriut, dhe nga naa tjetër edhe se si këto kapacitete ekonomike të rriten në funksion të mirëqenies, të krijimit të vendeve të punës më tepër, diçka që na mungon ne si shoqëri dhe që ka çuar për pasojë edhe largimin e të rinjve në kërkim të vendeve të punës, në kërkim të një mirëqenie”.

Konsultimet me ekspert ndërkombëtar të ekonomisë tha Sela bëhen për shkak se ekonomia do të jetë një nga shtyllat kryesore të platformës qeverisëse të koalicionit të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës./SHENJA/