Sekretari amerikan i Shtetit, e ka uruar Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në NATO, duke vlerësuar ky anëtarësim e fuqizon jashtëzakonisht Aleancën Veriatlantike.
“Ky anëtarësim ofron edhe më shumë prova se përafrimi i vendeve me kombet e lira të Perëndimit është mënyra më e mirë për të fituar siguri, stabilitet dhe prosperitet për kombin e tyre”, ka thënë Pompeo.
Flamuri i Maqedonisë së Veriut u ngrit më 30 mars para ndërtesës së NATO-s në Bruksel, duke shënuar pranimin e saj zyrtar në aleancë si anëtari i 30-të i saj.
Procesi i anëtarësimit në NATO filloi në gjysmën e dytë të vitit 2018, pasi vendi ftua të bëhej anëtar në Samitin e Aleancës në Bruksel më 12 korrik të atij viti.
Maqedonia e Veriut ka bërë një rrugë e gjatë deri në anëtarësimin në NATO. Procesi i anëtarësimit ka nisur në fund të vitit 1993, kur parlamenti pati miratuar një rezolutë për anëtarësimin në Aleancë. Në vitin 1999, në Samitin e Uashingtonit, Maqedonia e Veriut fitoi statusin e shtetit kandidat për anëtarësim të plotë në këtë organizatë.
Në vitin 2008 ajo mori një ofertë për anëtarësim të plotë, por që dështoi për shkak të vetos nga ana e Greqisë për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit. Pas mosmarrëveshjes gati prej dy dekadave, më 17 qershor të vitit 2018, Shkupi dhe Athina zgjidhën kontestin e emrit me çka Maqedonia mori emrin Maqedonia e Veriut. Pas kësaj Greqia hoqi veton dhe Shkupi nënshkroi një protokoll për anëtarësim në Aleancë.