Kujdes shoferë, nga nesër gjobat për pajisjet dimërore!

Nga 15 nëntori hyn në fuqi detyrimi ligjor për pajisje dimërore për të gjitha automjetet që qarkullojnë në rrugët e Maqedonisë së Veriut.

Sipas MPB-së, për automjetet deri në 3.500 kilogramë kërkohen goma dimërore në të katër rrotat, me profil minimal prej 4 milimetrash. Lejohen edhe gomat verore me të njëjtin profil, por vetëm nëse automjeti ka zinxhirë bore për rrotat tërheqëse.

Për automjetet me katër rrota aktive (4×4), kërkohen goma dimërore me profil minimal prej 6 milimetrash, ose goma verore me së paku 4 milimetra dhe zinxhirë bore.

Automjetet mbi 3.500 kilogramë duhet të kenë goma dimërore në rrotat tërheqëse, me profil minimal prej 6 milimetrash, ose goma verore me së paku 4 milimetra dhe zinxhirë bore.

Autobusët dhe kamionët që për arsye teknike nuk mund të përdorin zinxhirë, duhet të kenë goma dimërore dhe lopatë.

Gomat dimërore identifikohen me shenjat MS, M+S, M&S ose simbolin e flokut të borës në mal. Ndërkaq, gomat me gozhda metalike janë të ndaluara.

MPB-ja apelon që shoferët ta respektojnë këtë detyrim për të garantuar siguri në komunikacion gjatë kushteve dimërore.