Pas vaksinës BCG, mos i çoni menjëherë fëmijët në rentgen – paralajmërohen prindërit!

Prindërit nuk duhet t’i dërgojnë fëmijët për incizim radiologjik vetëm për shkak të reagimit në vendin ku është dhënë vaksina BCG, pa rekomandimin e mjekut.
Ky është mesazhi i Grozdanovës, e cila u bën thirrje prindërve të mos shqetësohen pa nevojë dhe të këshillohen me pediatrin për çdo reagim pas vaksinimit.
Vaksina BCG përdoret për mbrojtjen kundër formave të rënda të tuberkulozit, ndërsa disa reagime lokale pas vaksinimit janë të pritshme.
Vaksinat e prodhuesit bullgar “Bul Bio” janë pezulluar përkohësisht në Maqedoninë e Veriut, pas raportimit të katër rasteve të dyshuara të problemeve me kockat dhe nyjat te fëmijët në Kroaci. Lidhja e këtyre rasteve me vaksinën ende nuk është konfirmuar.
Kryetarja e Komisionit të Imunizimit, Aleksandra Grozdanova, sqaroi se në vendin tonë nuk është regjistruar asnjë rast i tillë dhe se tashmë janë siguruar vaksina nga një prodhues tjetër.
Ajo u bëri thirrje prindërve që të mos i dërgojnë fëmijët pa simptoma për incizime apo kontrolle shtesë. Megjithatë, nëse shfaqen dhimbje gjatë lëvizjes, ënjtje të nyjave ose temperaturë e lartë, duhet të konsultohen me pediatrin.
Grozdanova theksoi se pezullimi është masë parandaluese dhe se vaksinimi kundër tuberkulozit mbetet i rëndësishëm.