Juristja dhe mbrojtësja e njohur e të drejtave të njeriut nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2026, për kontributin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, paqes dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Sipas raportimit të 4news.mk, Komiteti Norvegjez i Nobelit e vlerësoi Pillay për guximin, integritetin dhe angazhimin e saj shumëvjeçar në forcimin e së drejtës ndërkombëtare.
Pillay ka luajtur rol të rëndësishëm në luftën kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Ajo ka shërbyer si gjyqtare në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe më pas në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Komiteti theksoi se veprimtaria e saj ka ndihmuar në kërkimin e përgjegjësisë nga shtetet dhe udhëheqësit politikë, duke u dhënë shpresë viktimave të dhunës dhe konflikteve.
Një moment interesant shënoi edhe deklarata e kryetarit të Komitetit, Jørgen Watne Frydnes, i cili tha se ende nuk kishin arritur të kontaktonin fituesen, duke i bërë thirrje t’i përgjigjej telefonit nëse shihte një numër nga Norvegjia.
Trump pretendonte se e meritonte Nobelin
Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se e meritonte Çmimin Nobel për Paqe, duke paralajmëruar se moszgjedhja e tij do të përbënte një diskreditim të madh për Komitetin.
Vendimi për të nderuar Pillay vjen në një periudhë tensionesh të mëdha ndërkombëtare, me luftën në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe krizën humanitare në Sudan.
Mes emrave dhe organizatave të përmendura si kandidatë të mundshëm ishin edhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, rrjeti humanitar i reagimit emergjent në Sudan, Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Vlerësimi për Navi Pillay shihet si një mesazh në mbështetje të sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë konflikteve.



