Një studim i publikuar në revistën shkencore “Tobacco Control” ka ngritur shqetësime serioze për ndikimin e cigareve elektronike në shëndetin e mushkërive te të rinjtë.
Hulumtimi, ku morën pjesë 22 persona të moshës 21–35 vjeç, tregoi rënie të funksionit të mushkërive pas një viti përdorimi të cigareve elektronike.
Te përdoruesit më të shpeshtë u regjistrua një ulje e vëllimit të ajrit të nxjerrë gjatë sekondës së parë të frymënxjerrjes deri në 240 mililitra.
Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se rezultatet nuk dëshmojnë përfundimisht se cigaret elektronike janë shkaktare të kësaj rënieje. Studimi kishte pak pjesëmarrës, nuk përfshinte grup kontrolli dhe gjetjet nuk mbetën statistikisht domethënëse pas korrigjimeve.
Ekspertët kërkojnë studime më të gjera për të përcaktuar ndikimin afatgjatë të cigareve elektronike në shëndetin e mushkërive.



