Osmani nesër në Sofje: Tentimi i fundit për negociatat në qershor

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani para mikrofonit të TV21, gjatë kthimit për në Shkup, ka bërë të ditur, se shkuarja nesër në Sofje të Bullgarisë, është tentativa e fundit për të zhbllokuar procesin për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian në muajin qershor.

Për takimin e nesërm, Osmani do të japë informacione edhe në Komisionin për punë të jashtme në Kuvend, që do të mbajë seancë sot.

“Është një mënyrë që t’i informoj ata para se nesër të shkojmë në Sofje, ku do të kemi bisedimet e fundit ndoshta, për këtë tentim të fundit për qershorin, për të zhbllokuar procesin e qershorit. Shpresoj, se për këtë ata do të kenë mirëkuptim dhe do të zhbllokojnë proceset që i kanë bllokuar me ambasadorët”, tha Osmani, transmeton TV21.

Ai ka shtuar, se nuk ka bisedime të fshehta me Bullgarinë, pasi siç thotë, derisa nuk ka një marrëveshje paraprake, përfshirja e publikut mund të pengojë procesin.

“Kjo është praktikë e zakonshme, që bisedat diplomatike në fazën e parë të jenë jashtë opinionit”, tha Osmani./TV21