Thaçi: Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe do t’jetëserioz kur ta shoh Planin financiar për zbatimin e tij

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, e ka cilësuar si “të paserioz” Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, për sa kohë ai nuk shoqërohet me një plan konkret financiar nga Ministria e Financave. Ai theksoi se për zbatimin e plotë të këtij ligji, i cili duhet të garantojë të drejtën kolektive të përdorimit të gjuhës në institucione, nevojiten 470 milionë euro, ndërsa sfidoi hapur në një debat publik ministrin e Drejtësisë.

Gjatë fjalës së tij, Thaçi theksoi rëndësinë e të drejtës kolektive në raport me atë individuale dhe ftoi në debat përfaqësuesit e qeverisë:

“Unë nuk po arrij t’i kuptoj dhe jam i gatshëm që cilido prej tyre, qoftë ministri i Drejtësisë apo kushdo tjetër, të ulet në një debat publik me mua. Unë do t’u shpjegoj se s’mund të na tallin dhe se ata duhet të bëjnë dallimin mes të drejtës individuale dhe asaj kolektive. A e dini se si është kjo e drejtë individuale? Po të biesh në një procedurë kundërvajtëse apo penale, edhe në Kinë e në Japoni ta mundësojnë që të flasësh dhe të shkruash në gjuhën tënde.

Problemi qëndron këtu, se mungon e drejta e përdorimit kolektiv të gjuhës shqipe. Po e përsëris sërish, ndonëse ndoshta jam bërë i mërzitshëm: Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, për Menduh Thaçin, do të jetë serioz atëherë kur të shohë planin financiar për zbatimin e atij ligji nga ana e Ministrisë së Financave.

Sipas analizave që kanë bërë ekspertët tanë të PDSH-së (ndoshta jo aq të fuqishëm), duhen 470 milionë euro që ai ligj të zbatohet; e kjo nënkupton përgatitjen, shkollimin, seminaret, diplomat dhe vulat e njerëzve përkatës. Dhe po e përmbyll me këtë: sporteli duhet të funksionojë në dy gjuhë, jo unë si shqiptar të funksionoj në dy gjuhë.”