Një lajm i rëndë ka tronditur Përshefcën, Tetovën dhe mbarë komunitetin e futbollit shqiptar. Në moshë të re është ndarë nga jeta Agron Memedi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe emër i njohur i futbollit shqiptar.
Që në rini, Memedi ishte rreshtuar në radhët e UÇK-së, ndërsa më pas jetën ia kushtoi futbollit, ku la gjurmë si futbollist dhe trajner.
I lindur më 5 dhjetor 1980 në Tetovë, ai nisi karrierën te Shkëndija, për të vazhduar te Renova, me të cilën fitoi titullin kampion në sezonin 2009/2010 dhe Kupën e Maqedonisë në sezonin 2010/2011. Luajti edhe te Metalurgu i Shkupit dhe pati një paraqitje me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, vazhdoi të kontribuonte si trajner. Në gusht të këtij viti iu bashkua stafit teknik të Shkëndijës si ndihmës i Artim Pollozhanit.
Largimi i tij i parakohshëm lë dhimbje te familja, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që e njohën dhe ndanë me të rrugëtimin në sport.





