Nis fushata për bojkotim të produkteve të Serbisë

Në kohën e tensioneve të larta botërore pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe krizës ekonomike që ka nisur të shfaqet në botë me ngritjen e çmimeve, ka nisur një fushatë tjetër për orientim të konsumit kah produktet vendore.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, të martën në mbrëmje në Facebook ka kthyer në vëmendje fushatën e para disa vitesh për bojkot të produkteve të Serbisë.

“Në këto kohëra të ndjeshme, brenda mundësive tona të gjithë mund të bëjmë nga pak për vendin tonë. Ta orientojmë së bashku konsumin në produkte vendore. Ta forcojmë sadopak ekonominë tonë. Ose së paku, t’i shmangim ato mallra që financojnë një ekonomi që ushqen makinerinë ushtarake e cila çdo ditë kërcënon me zhdukje vendin tonë. Duaje tënden! Bojkoto produktet e Serbisë!” ka shkruar ai si përshkrim i një fotografie në të cilën shihet barkodi i produkteve të Serbisë i mbushur me plumba.

Serbia në ditët e fundit u bë i vetmi vend në Evropë, krahas Bjellorusisë, që nuk vendosën për sanksione kundër Rusisë.