Kovaçevski tregon se me çfarë qëllimesh vjen kryeministri bullgar në Shkup

Nga Vila Vodno, pasi u pranua nga presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka zbuluar temat për të cila do të bisedojë nesër në takimin me kryeministrin bullgar, Kirill Petkov.

Nuk do të flitet për çështjet e identiteti, e as për gjuhën, por për bashkëpunimin në fushën ekonomike.

“Ne, me zotëri Petkovin nuk do të nënshkruajmë marrëveshje sa i takon asaj se çfarë duhet të punojmë në fushën e ekonomisë, por nëpërmjet punës fillimisht do ta kthejmë besimin ndërmjet qytetarëve dhe këtë nuk do ta bëjnë politikanët, por ekspertët e fushës”, tha Kovaçevski, transmeton TV21.

Tha se për çdo fushë do të vendosin ekspertët, duke bërë të qartë se nëpërmjet ekonomisë nuk pritet të arrihet deri te zgjidhja apo heqja e vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut në procesin eurointegrues.

Por, shtoi:

“Do të përpiqemi që nëpërmjet bashkëpunimit të rikthejmë dialogun”.