Kosova ka planin Bajden, nuk i duhet plani Makron! Çfarë është “projekti francez” dhe pse ai duhet të zgjojë shumë alarme në Prishtinë dhe në Tiranë

Variacione të shumta diplomatike për temën Serbi-Kosovë vazhdojnë të luhen me intensitet në skenën diplomatike europiane. Më i fundit është një plan francez, për të cilin organi serb “B-92” shkruante në 31 maj se “ditët e fundit mediat kanë filluar të flasin për planin francez, i cili parashikon të drejta më të mëdha për serbët në Veri dhe të drejta shtesë për kishën ortodokse serbe në Kosovë, në këmbim të liberalizimit të vizave dhe njohjes së Kosovës nga vendet e BE, që nuk e kanë njohur deri tani”.

Organi grek “greekcitytimes” shkruante në 28 maj se “Franca po përgatit përmes Emanuel Makronit të paraqesë një marrëveshje të përkohshme, ku Veriu i Kosovës fiton autonominë dhe kisha ortodokse serbe një status të posaçëm. Në këmbim Kosova do të njihet nga Greqia dhe qytetarëve të saj do t’u jepen vizat”.

Vetë presidenti serb Vuçiç zbuloi vetëm një element të këtij plani francez, atë të njohjes nga Greqia dhe deklaroi në 27 maj se ishte njoftuar zyrtarisht për qëllimin e Greqisë për të ngritur nivelin e marrëdhënieve me Prishtinën në rangun e drejtorëve politikë, por ai shpresonte që Athina nuk do të shkojë më tej dhe të njohë Kosovën.

Në datën 28 maj zëdhënësi i MPJ të Francës , i pyetur nëse keni plane për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe nëse është hartuar ndonjë dokument nga Parisi dhe Berlini për rifillimin e dialogut, u përgjigj me deklaratën: “Franca po punon të ndihmojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila është një çështje sigurie për Europën”.(faqja zyrtare e MPJ të Francës, 28 maj 2021).

Mjedisi diplomatik dhe mediatik rajonal dhe europian u furnizua kështu me një plan të ri francez, i cili duke pasur emrin e një shteti të rëndësishëm europian, që bashkë me Gjermaninë përbëjnë dyarkinë vendimmarrëse të BE, zgjon një interes dhe një kujdes të posaçëm. Por duhet thënë që në fillim se edhe variacioni diplomatik francez mbi dialogun Serbi-Kosovë të lë përshtypjen se ka vënë përpara një partiturë serbe.

Çfarë bën përshtypje në planin e ri francez apo planin Makron?

Ai përpiqet të shmangë thelbin e problemit të normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, që është njohja reciproke midis tyre. Plani hedh karremin e liberalizimit të vizave dhe të njohjes së Kosovës nga Greqia, dy çështje që nuk kanë asnjë lidhje me problematikën e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Liberalizimi i vizave është një çështje, që lidhet me BE-në dhe me kushtet, që duhet të plotësojë Kosova për të fituar liberalizimin e vizave. Kosova i ka përmbushur prej kohësh kushtet dhe parametrat e kërkuara nga BE, por burokracia diplomatike e BE vlerëson që mosliberalizimi të mbahet si shantazh mbi Prishtinën për ta detyruar të bëjë lëshime ndaj Serbisë. Dhe të mendosh që BE i ka dhënë liberalizimin e vizave pjellës së gjenocidit të quajtur “Serpska republika”, e cila sot e gjithë ditën është gjeneratori kryesor i tensionit në Ballkan.

Sa i takon çështjes së njohjes së Kosovës nga Greqia, kjo akoma me tepër nuk ka lidhje dhe as ka të bëjë me marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës dhe është absurde ta lidhësh me dialogun. Nëse Athina, ndonëse me vonesë, ka arritur te qëndrimi se duhet njohur shteti i Kosovës, ajo duhet përshëndetur për këtë qëndrim realist. Por vetë Greqia nuk duhet të lejojë që akti i njohjes së Kosovës nga ana e saj të përdoret për t’i bërë presion Kosovës që të heqë dorë nga të drejtat e saj shtetërore dhe kombëtare përballë Serbisë.

Greqia ka patur edhe më parë përpjekje për ta lidhur në mënyrë artificiale njohjen e Kosovës prej saj, kur ministri i jashtëm grek Kocias i imponoi diplomacisë shqiptare të ashtuquajturën paketë të bisedimeve midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe kërkoi që të ndërlidhej akti i njohjes së Kosovës nga Greqia me aktin e pranimit nga Shqipëria të marrëveshjes së vdekur të detit të vitit 2009 midis dy shteteve.

Ajo, që bën përshtypje në planin francez, është konkretizimi në të i idesë së ndryshimit të kufijve të Kosovës, që e kanë patur prej tre vjetësh Serbia, Rusia dhe Franca. Këtë qëndrim francez në favor të ndryshimit të kufijve të Kosovës presidenti Makron ia ka konfirmuar personalisht presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e tyre dypalësh në 12 tetor 2018 në Erevan, ku ndodheshin për samitin e vendeve frankofone.

Parisi vlerësonte se ndryshimi i kufijve është mënyra e arritjes së normalizimit midis dy vendeve ballkanike. Plani i tanishëm francez jo vetëm Veriun i Kosovës e nxjerr jashtë hartës së sovranitetit shtetëror të Kosovës, por edhe shumë territore të tjera brenda Kosovës i nxjerr jashtë këtij sovraniteti, nëpërmjet të drejtës së ekstraterritorialitetit që i jep plani francez kishës ortodokse serbe për dhjetëra manastire dhe faltore serbe në gjithë territorin e shtetit të Kosovës.

Elementi i ri që kërcet në planin francez është sidomos përcaktimi për ta quajtur “një marrëveshje e përkohshme”. Termi “e përkohshme” është një kundërvënie e hapur me vetë përcaktimin e deritanishëm diplomatik të BE se duhet një marrëveshje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës. Edhe vetë presidenti Makron në telegramin e urimit për zgjedhjen e kryeministrit Albin Kurti, dërguar në 1 prill 2021, thekson se “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe legalisht detyruese është një nga kushtet për afrimin europian të Kosovës dhe të Serbisë”.

Tani befas ofrohet një marrëveshje e përkohshme. Kjo mund të quhet një dinakëri diplomatike për të bindur Kosovën që të pranojë planin e ri filoserb dhe të ngopet me lugë të zbrazet. Kosova, që humb kaq shumë sovranitet dhe integritet me këtë plan, duhet të ngushëllohet me premtimin iluzor të planit se në të ardhmen mund të arrijë objektivat e saj. Gjithë strategjia e planit të ri është që Kosova të trulloset dhe të pranojë këtë marrëveshje poshtëruese dhe Serbia të ketë alibinë e duhur për derën e hapur të anëtarësimit triumfal në BE, sepse po heq pengesën dhe kushtin që quhet Kosovë.

Pas daljes së këtij plani francez apo plani Makron për një marrëveshje të përkohshme midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet humbjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës, nuk mund të mos shtrohet pyetja përse kjo ngutje e Parisit me këtë plan të ri në prag të takimit në nivel të lartë të caktuar për në muajin qershor midis Serbisë dhe Kosovës, të ndërmjetësuar nga BE.

Kemi ngutjen dhe shqetësimin francez, serb dhe rus, sepse SHBA kanë vendosur në vitin 2021 se ka ardhur dita dhe ora e zgjidhjes së normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet njohjes reciproke. SHBA ka nxjerrë shpatën e Aleksandrit të Madh për të prerë nyjen artificiale gordiane të stërzgjatjes dhjetëvjeçare të bisedimeve Serbi-Kosovë në Ruksel.

Po të shohësh me vëmendje përmbajtjen dhe logjikën e tre nonpejpërave të publikuar javët e fundit për zgjidhjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës si dhe të planit më të fundit francez, konstaton që të katër projektet anti-Kosovë janë publikuar dhe qarkulluar pas deklarimit zyrtar të administratës së re amerikane në muajin shkurt se në qendër të dialogut Serbi-Kosove duhet të vihet çështja e njohjes reciproke si rruga e vetme e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve.

Të katër projektet, që kanë dalë në seri dy muajt e fundit, kanë të gjitha qëllimin që t’i kundërvihen qëndrimit dhe vendosmërisë së qeverisë amerikane të presidentit Bajden për zgjidhjen përfundimtare të dialogut Serbi-Kosovë me njohjen reciproke.

Të katër projektet i përshkon si fije e kuqe synimi për të penguar që iniciativën e zgjidhjes së dialogut Serbi-Kosovë ta drejtojë qeveria amerikane. Siç theksonte në 28 maj ekspertja e problemeve ndërkombëtare Natalia Ishçenko në portalin “dsnews”: “në vend të qëndrimit ultimativ amerikan europianët zgjedhin rrugën e kompromisit. Skema e rregullimit, të cilën sipas informacioneve jozyrtare e propozoi presidenti Makron, parashikon disa hapa”.

Sipas saj, për realizimin e ideve të planit Makron Prishtina duhet të pranojë pavarësinë e pjesës më të rëndësishme të territorit nga pushteti qendror. Shumë diplomatë dhe vëzhgues e vlerësojnë planin e ri francez si një përpjekje që Parisi të marrë drejtimin e dialogut Serbi-Kosovë dhe për të konfirmuar një rol të ri rajonal dhe europian të Francës dhe të presidentit Makron.

Natalia Ishçenko shkruan se “nisma Makron, ende e pashpallur zyrtarisht, por e diskutuar aktivisht në rajon, mund të jetë një përpjekje për të marrë iniciativën dhe t’i japin tonin bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Konkluzioni i hidhur diplomatik, që mund të nxirret nga plani Makron dhe planet e tjera që shpërthyen pas qëndrimit të vendosur të presidentit amerikan Bajden, është se qarqe të rëndësishme diplomatike të BE po anojnë nga qëndrimi rus, që është më mirë të mbahet i hapur konflikti midis Serbisë dhe Kosovës dhe të shtyhet zgjidhja e tij në kalendat greke. Me këtë taktikë BE ruan rolin e përjetshëm të ndërmjetësuesit dhe qëndron aktor në skenën diplomatike. Nuk është rastësi që asnjeri nga katër projektet e fundit europiane nuk e parashikon njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.

Qarkullimi diplomatik dhe mediatik i planit francez për dialogun Serbi-Kosovë duhet të zgjojë shumë alarme në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Kosova duhet t’i thotë një “jo” të vendosur si planit francez, ashtu dhe projekteve të tjera, që neutralizojnë shtetin e pavarur të Kosovës. Kosova e ka planin Bajden, që përcakton qartë, prerë dhe pa ekuivok se dialogu Serbi-Kosovë duhet të qendërzohet në njohjen reciproke.

Çdo devijim nga kjo hartë e saktë diplomatike amerikane mund të emërtohet braktisje e interesave shtetërore dhe kombëtare të Kosovës. Kosova e ka planin Bajden se si duhet të ecë dhe nuk i duhet plani Makron./Dita