I dyshuari për vrasjen e Arlindës raportohet se kërcënoi policët: I gjallë nuk dorëzohem, iu vras edhe juve

Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, raportohet se ka kërcënuar edhe zyrtarët policorë gjatë një komunikimi me ta, duke refuzuar të dorëzohet.
Informacionin e ka bërë publik moderatori i emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ermal Panduri, i cili, duke iu referuar një informacioni që e cilësoi ekskluziv, tha se i dyshuari kishte paralajmëruar policët se do t’i vriste nëse përpiqeshin ta arrestonin.
“Informatë ekskluzive: Kur ka komuniku policia me dorasin e dyshuar, ka thënë: Nuk dorëzohem, iu vras edhe juve. I gjallë nuk dorëzohem”, ka deklaruar Panduri

Nuk dihet se kur ka ndodhur komunikimi i pretenduar, në çfarë rrethanash është zhvilluar dhe nëse autoritetet kanë ndërmarrë masa shtesë pas kërcënimeve të raportuara.
Sylaj dyshohet se e vrau kunatën e tij, Arlinda Zekaj, më 25 tetor, në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak minuta pasi ajo ishte kthyer aty e shoqëruar nga zyrtarët policorë.
Pas vrasjes, Policia e Kosovës e shpalli Sylajn në kërkim si të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, duke kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij.
Rasti ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht pas raportimeve se viktima kishte kërkuar ndihmë nga institucionet për dhunën dhe kërcënimet që kishte përjetuar.
Sipas një aktakuze të Prokurorisë Themelore në Pejë, të datës 23 tetor 2026, të siguruar nga Nacionale, Arlinda kishte raportuar në Polici më 10 korrik 2026, duke përshkruar një histori të dhunës psikologjike dhe fizike gjatë martesës me Jeton Sylajn.
“Deri sa kam jetuar në Amerikë Jetoni ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj meje”, kishte deklaruar ajo.

Arlinda kishte treguar se dhunën në familje e kishte raportuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku çifti kishte jetuar për rreth 11 vjet. Në vitin 2024, ajo dhe djali i tyre ishin kthyer në Kosovë, ndërsa bashkëshorti vazhdonte të udhëtonte ndërmjet Kosovës dhe Amerikës.
Sipas deklaratës së saj, Jetoni e kishte detyruar të merrte një kredi prej nëntë mijë eurosh.
Konflikti, sipas aktakuzës, ishte ashpërsuar në dhjetor të vitit 2025, kur ai i kishte kërkuar të largohej nga shtëpia e përbashkët në Vitomiricë.
“Ki me flejt në sokak, ski me pa më djalin nëse jam gjallë une”, kishte deklaruar Arlinda se e kishte kërcënuar bashkëshorti.
Ajo kishte përshkruar edhe një episod tjetër, gjatë të cilit bashkëshorti ia kishte djegur rrobat në oborrin e shtëpisë.
“I ka marr të gjitha rrobat e mija dhe i ka qitur në oborr i ka kall të gjitha”, kishte deklaruar ajo.
Sipas Arlindës, Jetoni e kishte regjistruar djegien dhe ia kishte dërguar videon, ndërsa ajo kishte shprehur gatishmërinë që incizimin ta dorëzonte në Polici.
Megjithatë, ajo kishte shpjeguar se nuk e kishte bërë menjëherë denoncimin, pasi kishte shpresuar se bashkëshorti do të ndryshonte sjellje.
“Unë tërë kohën kam menduar se Jetoni do të ndryshojë se i dhimbset djali”, kishte deklaruar Arlinda.
Në aktakuzën e siguruar nga Nacionale përshkruhen kërcënimet, denoncimet për dhunë, largimi nga shtëpia dhe përpjekjet e Arlindës për ta rikthyer djalin. Prokuroria e akuzon Jeton Sylajn për veprën penale të kanosjes, lidhur me kërcënimet që, sipas aktakuzës, i kishte bërë në dhjetor të vitit 2025.
Ndërkohë, vrasja e Arlindës ndodhi më 25 tetor, pak minuta pasi ajo ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga zyrtarët policorë. Rrethanat e plota të rastit dhe përgjegjësitë eventuale institucionale mbeten çështje që kërkojnë sqarim nga autoritetet përkatëse.