Gazeta e njohur El Mundo: Shanset që samiti i NATO-s të mbahet në Tiranë janë thuajse zero

Samiti i NATO-s i parashikuar për vitin 2027 në Tiranë rrezikon të mos zhvillohet, sipas gazetës spanjolle ‘El Mundo’. Diplomatë të cituar nga media thonë se gjasat për mbajtjen e tij janë shumë të vogla, mes shqetësimeve për një përplasje të mundshme mes Donald Trump dhe aleatëve të NATO-s.

Një tjetër pengesë lidhet me shpenzimet e Shqipërisë për Mbrojtjen dhe dyshimet nëse ato përmbushin pragun e kërkuar. Sipas burimeve diplomatike, Shtetet e Bashkuara nuk do të pranonin zhvillimin e samitit në Shqipëri nëse vendi nuk i plotëson detyrimet përkatëse.

Pas vendimit për rritjen e shpenzimeve të Mbrojtjes në 5% të PBB-së, NATO pritet të monitorojë përmbushjen e objektivave nga vendet anëtare, pa qenë domosdoshmërisht e nevojshme mbajtja e një samiti të posaçëm.

Sipas diplomatëve, takimi i ardhshëm i liderëve mund të thirret vetëm në rast të një zhvillimi të jashtëzakonshëm, si përshkallëzimi i provokimeve ruse. Deri tani, nuk ka një konfirmim të qartë se samiti i ardhshëm do të mbahet në Tiranë.