Shkruan: Albion Memeti
Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa më së voni deri ditën e enjte pritet ta zyrtarizojnë marrëveshjen për të dalë bashkë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit, mëson gazeta LAJM. Gjasat që këtij koalicioni parazgjedhor t’i bashkohet Lëvizja BESA janë minimale, thonë burime brenda dy partive.
Gazeta LAJM ka arritur të mësoj se negociatorët e ASH-së dhe Alternativës tashmë kanë rënë dakord që të dalin bashkërisht në zgjedhje, megjithatë vendimi nuk do të publikohet pa marrë dritë jeshile edhe nga organet partiake të të dy subjekteve, që pritet të mblidhen deri të mërkurën. Bashkëpunimi opozitarë ishte paraparë të finalizohej javën e kaluar, por siç thonë nga ASH-ja, kjo parti ka pritur Alternativën dhe Lëvizjen BESA që t’i tejkalojnë dallimet për një koalicion më të zgjëruar. Megjithatë, koalicion trepalësh nuk do të ketë për shkak të kundështimit të Alternativës.
Ditë më parë në një intervistë për gazetën LAJM, sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari, u shpreh i bindur se ky do të jetë koalicioni i cili do t’i fitojë zgjedhjet e 12 prillit në kampin shqiptarë. “Nëse koalicioni do të jetë trepalësh rezultatet e zgjedhjeve do të jenë të turpshme për BDI-në, ndërsa nëse shkojmë vetëm me Alternativën presin të fitojmë disa mandate deputetësh më shumë se partia e Ali Ahmetit”, deklaroi ditë më parë Taravari. Por, nga ana tjetër, partia e Ali Ahmetit, thotë se nuk i frikësohet bashkëpunimit të partive opozitare. Madje, sipas Kreshnik Bekteshit, partitë opozitare po bashkohen për t’i bërë sado pak konkurrencë BDI-së.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka bërë të ditur se do të garojë vetëm në zgjedhje, megjithatë ka zëra se, kjo parti mund të bashkëpunojë me Lëvizjes BESA nëse kjo e fundit nuk përfshihet branda koalicionit ASH-Alternativa.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike Shqiptare ka mbetur jashtë të gjitha kombinatorikave për bashkëpunim. Pas deklaratave kontraverse të liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi për koalicionim me LSDM-në, si dhe mundësisë së bashkëpunimit me rivalin më të fortë deri tani, BDI-në, asnjëra nga këto parti nuk ka shfaqur interes për të bashkëpunuar me subjektin e Thaçit. Ndërkohë, thirrjet për bashkëpunim në zgjedhje mes partive shqiptare janë të vazhdueshme. Analistët dhe qytetarët e intervistuar nga gazeta LAJM kanë kërkuar nga politikanët që të bashkohen dhe të mos lejojnë të digjen votat shqiptare për shkak të inateve të ulta mes përfaqësuesve partiakë./Gazeta LAJM