Indiana përmbys Denverin në fund

Dy ndeshje të luajtura sot në NBA. Skuadra e San Antonio mundi 107-102 Miamin, një përballje interesante mes dy ekipesh legjendare në NBA, ku herë udhëhiqte njëri ekip, e herë tjetri. Diferencën e bënë lojtarët e stolit të Spursit, që realizuan 48 pikë. Më të mirët në fushë ishin Aldridge me 21 pikë dhe DeRozani me 20, ndërsa për Miami u dallua Adebayo me 21 pikë e 16 rebound, por që mbetën për statistikë.

Surprizë humbja e Denverit në fushën e tij. Skuadra e Nuggetsit u mund 115-107 nga Indiana, humbje që prish disi planet e Denverit për kreun e renditjes në perëndim. Edhe pse Denveri e udhëhoqi ndeshjen në shumicën e kohës, zhgënjeu pikërisht në momentet e fundit. Jokiqi realizoi 30 pikë e 10 rebound, por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen, ndërsa për Indianan u dallua Sabonisi me një “triple double” (22 pikë, 15 rebound e 10 asist).