Sela dhe Gashi publikojnë letrën që ia dërguan Ambasadorit shqiptar – Pse ky i fundit ende nuk është përgjigjur?

Letra e plotë, të cilën Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Aternativa ia kanë dërguar Ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka. Letra është nënshkruar nga dy kryetarët e koalicionit, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi. Po ua përcjellim të njëjtën, të plotë dhe pa ndërhyrje!

Po ju drejtohemi në emër të opozitës shqiptare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe si Koalicion Aleanca për Shqiptarët – AlternAtivA, për të kërkuar veprim të shtetit shqiptar në lidhje me çështjen e teksteve ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave të tjera të shtetit dhe popullit shqiptar, të kthyera në vëmendjen e opinionit mbarëshqiptar pas debatit që kemi nxitur rreth përmbajtjes së librit të Gjeografisë për vitin e dytë të gjimnazit të reformuar.

Pa hyrë në detajet e manipulimeve dhe të pavërtetave historike, të përhapura nga ky material, me të cilat besojmë se tanimë jeni i njoftuar, vlen të theksohet se, përpos fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj popullit shqiptar, narrativi shovinist që ai mbart në vete cënon drejtpërdrejt edhe vetë shtetin shqiptar, i cili paraqitet si okupator i Maqedonisë së Veriut, ndërsa populli shqiptar përshkruhet si pushtues dhe autor i shumë atrociteteve ndaj popullatës vendase maqedonase, duke mohuar në të njëjtën kohë autoktoninë e shqiptarëve në këto anë.

Siç e dini, ky material nuk është rast i izoluar. Ka edhe dhjetëra, ndoshta qindra, shembuj të tjerë të gjuhës së urrejtjes ndaj Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve si komb në materialet shkollore dhe akademike në përdorim në vendin tonë. Përkundër heshtjes së partive shqiptare në pushtet gjatë dy dekadave të fundit, ne si opozitë shqiptare kemi hapur debat shoqëror përmes protestës dhe kemi kërkuar nga ministria përgjegjëse tërheqjen e librit të Gjeografisë, në bazë të legjislacionit në fuqi, por kjo nuk mjafton.

Problemi është shumë më i gjerë dhe ne vlerësojmë se duhet të bëhet rishikimi i tërësishëm i materialeve shkollore dhe akademike të botuara nga institucionet publike dhe të financuara nga tatimpaguesi. Andaj, nisur nga kjo gjendje si dhe nga neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vlerësojmë se Republika e Shqipërisë duhet ta thotë fjalën e saj karshi shtrembërimit të fakteve historike, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe kombit shqiptar, që ushqehen nga institucionet publike të Maqedonisë së Veriut. Prandaj kërkojmë nga ju që do të ngrini këtë çështje lart në agjendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme Shqiptare dhe të kërkoni adresimin e saj në kuadër të dialogut politik midis dy vendeve, për të gjetur zgjidhje që i kontribuon rritjes së mirëbesimit midis dy kombeve dhe marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, që do duhej t’i promovonin dy vende anëtare të NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.