Kërcënimet me ushtri/ Ndizet alarmi për Kosovën, zbardhen dy qëllimet e Serbisë

Shteti serb po vazhdon të dërgojë kërcënime te hapura ndaj shtetit të Kosovës. Së fundi, gjenerali i ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, ka thënë se ushtria që drejton nuk përjashton mundësinë e ndërhyrjes brenda territorit të Republikës së Kosovës, nëse do të ketë veprime të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që forcat e sigurisë që ekzistojnë në Kosovë të bëjnë veprime të një anshme dhe në mënyrë disproporcionale për të arritur disa pika në terren”, ka deklaruar Mojsiloviq

E për kërcënimet nga Serbia, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

“Edhe sot kërcënim nga Serbia, edhe atë nga shefi i shtabit të ushtrisë serbe. Është e dukshme dhe e qartë qe sa herë ka ndonjë zhvillim në Kosovë, pra edhe takime të rutines, siç ishe takimi i para disa ditëve e dy Ministrave tanë, Mbrojtjes dhe Punëve te Brendshme, aparati shtetëror ne serbi trazohet. Ata duket që janë shume paronjak, por jo veç kaq”, thotë Shala.

Image

Drizan Shala

Sipas tij, përmes kërcënimeve të vazhdueshme në situata të caktuara, Serbia synon t’i realizojë dy qëllime kryesore.

“E para, përmes kërcënimeve për ndërhyrje ushtarako policore në Kosovë, e në veçanti në veri të arrin dy të goditura: t’i bëjë presion Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar në Kosovë, që në fushën politike në negociata të arrijë me shumë. Dhe e dyta, që në një të ardhme, realisht të realizojë një agresion real në veri të Kosovës, dhe që me pastaj politikisht të krijojë mbrojtje duke thënë, se ne iu kemi paralajmëruar që moti dhe për këtë ne duhet të jemi të përgatitur”, shprehet Drizan Shala për “Bota sot”.

Shala thotë se faktori ndërkombëtar duhet t’i trajtojë me seriozitet të plotë kërcënimet e Serbisë.

“Këto kërcënime, e sidomos ky i fundit nga shefi i shtabit të ushtrisë serbe, mendoj që faktori NATO në Bruksel e sidomos US.Army, duhet seriozisht ta trajtojnë dhe të japin një sinjal të fuqishëm, të ngjashëm me dislokimin e batalionit rezervë të KFOR që u realizua kohë më parë. Ata po kërcënojnë por edhe mund ta realizojnë, me skenarët që veç ata dinë të bëjnë, në emër të mbrojtjes se popullatës civile serbe në veri dhe gjithë Kosovën duke përdorur në aspektin ligjore edhe rezolutën 1244 si dhe gjendjen politike në të cilën gjendet Kosova në arritjen e statusit final të njohjes me Serbinë si dy shtete të pavarura”, shpjegon eksperti Shala.

“Nga kjo del detyrë immediate e institucioneve të Kosovës, që të kanë kujdes dhe popullata shumicë shumë vigjilentë për të mos rënë pre e ndonjë provokimi të montuar të shtetit serb. Popullata duhet të jetë shumë bashkëpunuese me policinë e Kosovës dhe me KFOR-in për të informuar me kohe çdo skenar ogurzi që shohin në teren, aty ku jetojnë. Duket qartë se Serbia është trimëruar, e edhe më qartë duket faktori rus në Ballkan pas Serbisë dhe bandave tjera paramilitare siç janë WAGNER”, thekson Shala.

Për fund, ai thotë se zhvillimet në Ukrainë defakto e japin një determinim edhe mbi gjendjen e sigurisë në rajon.

“Duke parë që në Mal të Zi kemi acarim të situatës politike, ku Beogradi është i interesuar që të ndërhyjë sa më parë aty duke lejuar vetes një dalje në Detin Adriatik. Bosnje dhe Hercegovinë duke defunksionalizuar sistemin politik dhe juridik në atë pjesë ku Republika Serpska do të kërkojë shkëputjen e saj nga kjo konturë shtetërore. Maqedoni e Veriut ku dihet që nuk kemi stabilitet politik të jashtëm me Bullgarinë e cila është duke përdorur këtë si shantazh për interesat e saj në fushën ndërkombëtare ndërsa në anën tjetër po mundëson që t’ju mundësohet një terren për të ndikuar Serbia përmes fraksioneve të saja brenda sistemit politik atje”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.