Grupi “Dhoma publike” në aplikacionin mobil “Telegram” sot është mbyllur pas kërkesës së MPB-së.
Nga Ministria për Punë të Brendshme (MPB), e konfirmuan informacionin në fjalë. Nga atje, madje thonë se kërkesa për mbylljen e grupit është dorëzuar këtë fundjavë.
Të hënën, u arrestuan krijuesi dhe administratori i grupit. Pas bisedave të bëra dhe dëshmive të marra kundër tyre pritet të dorëzohet kallëzim penal.
Hetimi është duke u zbatuar nga Drejtoria për Siguri Publike e cila vazhdon me aktivitetet për përfshirjen eventuale të personave të tjerë.
Në grupin “Dhoma publike” janë shpërndarë fotografi eksplicite, video materiale me përmbajtje pornografike dhe numra telefoni me çmime për kinse shërbime nga vajzat. Grupi numëronte më shumë se 7.400 anëtarë në mes të cilëve kishte edhe të mitur.